Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski me nëntë vite burg për shpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar, në vitin 2011 dhe 2012.
Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, së bashku me disa ish-zyrtarë maqedonas janë dënuar për rastin e njohur si “Kosmos”, rrënimin e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë asokohe në pushtet VMRO-DPMNE, që drejtohej nga Nikolla Gruevski.
Nga trupi gjykues, vepra ekryer është vlerësuar si e motivuar për hakmarrje politike.
Për veprën e njëjtë, ish-ministri i Transportit, Mile Jakanievski është dënuar me tre vjet burg, ndërsa me katër vjet burg u dënua ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës në Shkup, Toni Trajkovski.
Sipas aktgjykimit, të dënuarit duhet bashkërisht t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar biznesmenit Fiat Canovski, në shumën mbi 11 milionë euro.
Hetimi kundër Gruevskit dhe zyrtarëve tjerë ishin iniciuar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga Zoran Zaev, ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate, e cila në atë kohë ishte në opozitë.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, më parë është dënuar me dy vjet burgim për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej mbi 600 mijë euro, por dënimin nuk e ka vuajtur pasi që ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, më 13 nëntor të vitit 2018, kishte njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se ishte arratisur në Hungari. Pak ditë më vonë ai njoftoi se autoritet hungareze i kishin miratuar kërkesën për azil politik për shkak të, siç ka thënë ai, ndjekjes politike nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.
Në rrugën për në Hungari, Gruevski ka kaluar nëpër territoret e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.