Ndërlidhjet

Kurti: Krahasimi që Putini i bën Kosovës me Ukrainën, është injorancë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se referimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, “nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë”, tha Kurti gjatë një fjalimi në platformën “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington më 18 maj.

Kurti tha se krahasimi që Putini i bën Kosovës dhe Ukrainës, nuk ka asnjë vlerë kritike.

Putin ka përmendur disa herë Kosovën. Për herë të fundit ai përmendi Kosovën më 26 prill, gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antionio Guterres.

Putin tha se nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste ukrainase, që Rusia në shkurt i njohu si shtete të pavarura.

“Mohim, shmangie dhe mashtrim. Kjo ishte dhe është ende strategjia e Rusisë në Ukrainë. Tani është adoptuar edhe nga përfaqësuesja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia”, tha Kurti.

Ekspertë të të drejtës ndërkombëtare, i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se krahasimet midis Kosovës dhe rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, nuk qëndrojnë, pasi sipas tyre, për dallim nga to, Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur.

Matthias Hartwig, ekspert i të drejtës ndërkombëtare, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbushë tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës.

Kurti shtoi se për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë, Serbia po refuzon që të sanksionojë Moskën për agresionin në Ukrainë.

Ai paralajmëroi se Moska është e interesuar që të “hapë fronte të tjera betejash”, duke theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të kërcënohet nga këto qëllime.

“Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Sërpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht i lartë”, tha Kurti.

Prandaj ai tha se është i rëndësishëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian, pasi sipas kreut të Qeverisë kosovare, moszgjerimi i BE-së “do të jetë gjithmonë një ftesë për akterët e huaj keqdashës që kërcënojnë sigurinë e Evropës”.

Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-së për ta sanksionuar Rusinë për luftën që nisi në Ukrainë më 24 shkurt. Nga shtetet e rajonit, vetëm Serbia nuk i ka vendosur sanksione Moskës, duke thënë se me këtë po vepron në të mirë të interesave shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka thënë se do të luftojë për aq kohë sa të mundet që të mos i vendosë sanksione Rusisë, por ka shtuar se dëmi që shteti i tij po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG