Ndërlidhjet

Ukraina: Rusia po kryen kundërsulme në rajonin e Harkivit


Një ushtar ukrainas kalon pranë një tanku të shkatërruar rus. Harkiv, 15 maj 2022.
Një ushtar ukrainas kalon pranë një tanku të shkatërruar rus. Harkiv, 15 maj 2022.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse kanë nisur kundërsulme përreth Harkivit, në përpjekje për të rimarrë territorin e humbur dhe pasi u detyruan që të kthehen në kufi. Ndërkaq, një komandant rus i një njësie elite të tankeve, raportohet se është pezulluar nga puna për shkak të dështimit për të marrë kontrollin e Harkivit, qytetit të dytë më të madh ukrainas.

Në vendbanimin Velika Komishuvaka, forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha, duke u detyruar të largohen nga pozicionet që më herët kishin pushtuar, tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase më 19 maj.

Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus Kursk, tha më 19 maj se një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, nga siç tha ai, një sulm ukrainas në një fshat që gjendet pranë kufirit.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 19 maj se gjenerallejtënant, Serhiy Kisel, që udhëhiqte një njësi elite të tankeve, është pezulluar për shkak të dështimit për të marrë kontrollin e Harkivit.

Kjo ministri tha se Kisel është një prej disa zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë që në javët e fundit janë larguar nga puna për shkak të performancës së dobët në fazën e parë të pushtimit të Ukrainës.

Në mesin e komandantëve rusë, që ka të ngjarë që janë larguar nga puna, është edhe zëvendësadmirali Igor Osipov, i cili udhëheq flotën ruse në Detin e Zi. Ai besohet se është larguar nga puna pasi luftanija ruse, Moskva, u fundos në prill, tha inteligjenca ushtarake britanike.

Valeriy Gerasimov, shefi i Shtabi të Përgjithshëm i ushtrisë ruse, me gjasë është ende në këtë post, tha Britania, duke shtuar se është e paqartë nëse ky gjeneral ka ende besimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Ndërkaq, një zyrtar i paidentifikuar ushtarak i NATO-s, tha për CNN se momentumi i konfliktit është kthyer në favor të Ukrainës, edhe pse aleatët nuk presin përparime të mëdha në javët e ardhshme nga asnjëra palë.

Zyrtarët ukrainas thanë më 18 maj se kanë tentuar të negociojnë për lirimin e ushtarëve të mbetur në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Ukrainë, por përfundimi i betejës më të përgjakshme, ende mbetet i pazgjidhur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, gjeneralmajor Igor Konashenkov, tha se pothuajse 1,000 luftëtarë ukrainas që gjendeshin në Azovstal, rezistencën e fundit ukrainase në Mariupol, janë “dorëzuar” deri më 18 maj.

Të gjithë ushtarët raportohet se janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës, që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar për numrin dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar, tha se negociatat për lirimin e luftëtarëve po vazhdojnë, ndërsa planet janë që të nxirren të gjithë personat që ende gjenden brenda Azovstalit.

Denis Pushilin, lider e separatistëve pro-rusë në rajonin lindor të Ukrainës, tha se komandantët kryesorë të luftëtarëve ukrainas në Azovstal, gjenden ende brenda kësaj fabrike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG