Anëtarë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë kanë identifikuar disa shtete prej të cilave kanë ardhur mesazhet kërcënuese dhe raportimet e rreme për bomba në javët e fundit, që kanë pasur për cak ndërtesat publike në Serbi, tha Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Është përcaktuar se tetë kërcënime të tilla kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria dhe një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia”, tha ministria përmes një njoftimi të mërkurën në mbrëmje.
Në njoftim po ashtu thuhet se autoritetet kanë identifikuar vendndodhjet e 19 adresave elektronike prej të cilave janë dërguar mesazhet kërcënuese për vendosje të bombave në lokacione të ndryshme në Serbi.
“Këta janë të huaj të cilët nuk jetojnë në Serbi”, u tha në njoftim.
Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-in dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.
Sipas njoftimit, 18 adresa janë të shërbimit të Gmail-it dhe një adresë elektronike është nga ProtonMail.
Sipas Ministrisë së Brendshme, këto mesazhe kërcënuese u janë dërguar qytetarëve të Serbisë në ditët e kaluara.
“Për shkak të raportimeve të rreme për vendosje të bombave në ndërtesa publike, anëtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndjekur tetë persona, qytetarë të Serbisë, gjatë katër ditëve. Dy janë arrestuar dhe kallëzime janë ngritur kundër gjashtë personave të tjerë mitur”, tha kjo ministri.
Ekipet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë u tha se gjatë tre ditëve të fundit kanë kryer inspektime në disa qindra ndërtesa publike, shkolla, spitale dhe qendra tregtare në mbarë Serbinë. Pas këtyre inspektimeve, kjo ministri tha se kanë ardhur në përfundim se të gjitha kërcënimet kanë qenë alarme të rrejshme.
Kryeministri e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha më 17 maj se raportimet për vendosje të bombave në Serbi ishin presione nga jashtë sepse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq, më 16 maj, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vullin, tha se një luftë speciale po bëhej ndaj Serbisë me raportimet për bomba.
Anëtarët e Ministrisë së Brendshme, të Drejtorisë së Krimeve në Polici, kanë bashkëpunuar për këto raste me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar dhe Zyrën e Prokurorit të Lartë Publik, por edhe me Zyrën e Prokurorisë Speciale për Krime kundër Teknologjisë së Lartë.