Ndërlidhjet

Zyra e Prokurorit të Specializuar mirëpret vendimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt


Prokurori i Specializuar, Jack Smith gjatë një seance gjyqësore. Foto nga arkivi
Prokurori i Specializuar, Jack Smith gjatë një seance gjyqësore. Foto nga arkivi

Pas dhënies së vendimit të sotëm në gjykimin kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, Prokurori i Specializuar, Jack Smith, shprehu angazhimin e tij për të hetuar dhe ndjekur penalisht me vigjilencë të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.

Në njoftim thuhet se Smith deklaroi se sot është vendosur drejtësi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, pasi janë shpallur fajtorë.

“Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” tha Prokurori i Specializuar.

“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë.”

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Vendimi i fajësisë mund të apelohet nga palët brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG