Ndërlidhjet

Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO "pa vonesa"


Flamuri i NATO-s.
Flamuri i NATO-s.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja e këtij shteti, Sanna Marin, kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Finlandës në NATO, “pa vonesa”.

Të dy liderët kanë thënë në një konferencë të përbashkët për media se presin vendimin në ditët në vijim.

Ky deklarim vjen pas rritjes së mbështetjes së publikut për anëtarësimin e Finlandës në NATO, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Finlanda ka një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë.

Deri më tani ka qenë jashtë aleancës veri-atlantike për të shmangur antagonizmin e fqinjit të saj lindor.

"Prurjet" e Putinit në NATO
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:45 0:00

Suedia po ashtu pritet të bëjë të ditur synimin e saj për t’iu bashkuar NATO-s, në ditët në vijim.

Ndonëse nuk ka datë zyrtare se kur mund të ndodhë pranimi, NATO-ja do të mbajë një samit në Madrid më 28-29 qershor.

Zyrtarët e NATO-s kanë dhënë shenja se protokollet për pranimin e Finlandës dhe Suedisë mund të nënshkruhen gjatë samitit, nëse aplikacionet zyrtare arrijnë në tavolinën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, deri në fund të muajit maj.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e ka duartrokitur deklaratën e liderëve finlandezë, duke thënë se shteti i saj “do të mirëpresë” Finlandën në NATO, teksa vendet anëtare forcojnë aleancën “për sigurinë tonë të përbashkët”.

“Danimarka do të bëjë gjithçka për të siguruar proces të shpejtë anëtarësimi, pas aplikimit zyrtar”, ka thënë ajo në një postim në Twitter.

Finlanda dhe Suedia pritet të kenë pak komplikime për t’u anëtarësuar në aleancë.

Ushtritë e tyre ka kohë që ndërveprojnë me NATO-n, pjesërisht falë anëtarësimit të tyre në Partneritetin për Paqe të NATO-s që nga viti 1994 dhe në mesin e Partnerëve të Mundësive të Zgjeruara, 20 vjet më vonë - të dyja këto struktura që sigurojnë një bashkëpunim më të afërt me organizatën ushtarake.

Procesi i ratifikimit të marrëveshjeve për anëtarësim zakonisht merr një vit kohë, pasi parlamentet e të gjitha 30 vendeve anëtare duhet të diskutojnë dhe të votojnë për këtë çështje.

Mirëpo zyrtarë të lartë nga Suedia dhe Finlanda kanë udhëtuar së fundi nëpër disa vende anëtare të NATO-s për të kërkuar proces të përshpejtuar anëtarësimi.

Stoltenberg ka thënë se pret që procesi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës të ndodhë “shpejt”.

"Zgjerimi i NATO-s nuk e bën botën më stabile"

Putin ka cituar atë që e ka konsideruar kërcënim nga NATO-ja, e cila është zgjeruar në lindje prej Luftës së Ftohtë, si arsye për nisje të pushtimit të Ukrainës.

Njoftimi nga Helsinki ka nxitur Rusinë që të paralajmërojë se do të marrë hapa “ushtarako-teknikë” si përgjigje.

“Zgjerimi i NATO-s dhe qasja e aleancës ndaj kufijve tanë nuk e bën botën apo kontinentin tonë më stabil dhe më të sigurt”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

I pyetur nëse anëtarësimi i Finlandës në NATO do të përbënte kërcënim, Peskov ka thënë: Definitivisht.

“Gjithçka do të varet nga ajo sesi do të zhvillohet procesi, sa larg kufirit tonë do të pozicionohet infrastruktura ushtarake”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG