Ndërlidhjet

Rusia sanksionon degët evropiane të Gazprom në vendet që kanë vënë sanksione ndaj Moskës


Rregullatorët gjermanë morën kontrollin e operacioneve të "Gazprom Germania" pasi Gazprom e braktisi atë muajin e kaluar.
Rregullatorët gjermanë morën kontrollin e operacioneve të "Gazprom Germania" pasi Gazprom e braktisi atë muajin e kaluar.

Rusia ka vendosur sanksione kundër degëve të “Gazprom Germania” dhe dhjetëra kompanive të tjera me seli në vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, në përgjigje të pushtimit të saj në Ukrainë.

Sipas sanksioneve, 31 kompanive të përmendura më 11 maj nga qeveria ruse u ndalohet të kryejnë transaksione dhe të hyjnë në portet ruse. Por këtu përfshihen veçanërisht filialet lokale të Gazprom, furnizues i më shumë se një të tretës së gazit evropian.

Lista përfshin gjithashtu “EuRoPol GAZ SA”, pronar i pjesës polake të tubacionit të gazit “Yamal-Europe” përmes të cilit rrjedh pjesa më e madhe e furnizimit me gaz të Gazprom në Evropë. Përmenden gjithashtu kompanitë e tjera energjetike europiane së bashku me ato të SHBA-së dhe Singaporit.

Rregullatorët gjermanë morën kontrollin e operacioneve në “Gazprom Germania” pasi Gazprom e braktisi atë muajin e kaluar pa asnjë shpjegim. Ministria gjermane e Ekonomisë po shqyrton njoftimin, deklaroi një zëdhënës i ministrisë. Ministria tha se furnizimi me gaz është duke u kontrolluar vazhdimisht dhe aktualisht është i sigurt.

“Qeveria gjermane dhe Agjencia Federale e Rrjetit, si administrues të besuar të Gazprom Germania, janë tashmë në proces të marrjes së masave të nevojshme dhe përgatitjes për skenarë të ndryshëm”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

Operacionet e "Gazprom Germania" përfshijnë furnizimet për shitësit me shumicë dhe pakicë, magazinimin dhe shpërndarjen e tubacioneve. Operacionet e saj përfshijnë strukturën më të madhe të magazinimit të gazit në Gjermani në Rehden në Saksoninë e Ulët.

Sipas një dekreti të lëshuar nga Presidenti Vladimir Putin më 3 maj, asnjë entitet rus nuk i lejohet të bëjë marrëveshje me subjektet e sanksionuara ose të përmbushë detyrimet sipas marrëveshjeve ekzistuese.

Dekreti ndalon shprehimisht eksportin e produkteve dhe lëndëve të para për njerëzit dhe subjektet në listën e sanksioneve. Putin përpiloi dekretin si një përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Putin vazhdimisht paralajmëroi se Moska do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë, megjithëse deri javën e kaluar përgjigja më e ashpër ekonomike e Kremlinit ishte ndërprerja e furnizimit me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë dhe kërkesa ndaj klientëve evropianë për të paguar gazin në valutën ruse (rubla).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG