Ndërlidhjet

Evropa mund ta ketë të vështirë eliminimin e naftës ruse


Një pamje e një rafinerie nafte në Moskë - Fotografi ilustruese.
Një pamje e një rafinerie nafte në Moskë - Fotografi ilustruese.

Reuters

Bashkimi Evropian (BE) ka propozuar një embargo në disa faza për naftën ruse, por mund ta ketë të ndërlikuar për ta zbatuar, duke pasur parasysh rrjetin kompleks evropian të shpërndarjes, si dhe sfidat në gjurmimin e naftës së papërpunuar pasi ajo të përzihet apo rafinohet.

Nëse plani miratohet nga shtetet anëtare, do të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh për naftën e papërpunuar dhe pas tetë muajsh për naftën dhe produktet e tjera të naftës.

Sa të përkryera mund të jenë sanksionet e BE-së?

Sipas propozimit, Hungarisë dhe Sllovakisë do t'i jepet një periudhë më e gjatë - deri në fund të vitit 2023 - për t'u përshtatur me embargon. Kjo do të thotë se vendet e BE-së do të mund ende të blejnë naftë ruse nëpërmjet Hungarisë dhe Sllovakisë, përveç nëse plani ratifikohet për të parandaluar që të dyja vendet të blejnë më shumë naftë sesa që kanë nevojë.

A mund të arrijë në Evropë nafta ruse në rast të ndalimit?

Vendet evropiane mund të vazhdojnë të blejnë mallra ruse nga vende të tjera të treta, pa qenë në dijeni të origjinës së tyre.

Nafta zakonisht mund të gjurmohet në origjinën e saj bazuar në përbërjen e saj kimike, siç është përmbajtja dhe dendësia e squfurit. Megjithatë, disa blerës janë mashtruar në të kaluarën nga dokumente të falsifikuara, duke fshehur origjinën e ngarkesave nga vendet nën sanksione, përfshirë këtu Iranin dhe Venezuelën, bazuar në burime të industrisë.

Kjo bëhet më e vështirë nëse nafta e papërpunuar përzihet me lëndë të tjera të papërpunuara për rafineritë dhe pothuajse e pamundur pasi të përpunohet në produkte standarde, si benzina, nafta ose karburanti i avionëve.

Kush po kërkon pezullimin e kush ndalimin në faza të naftës ruse?

Të paktën 26 rafineri dhe kompani tregtare të mëdha evropiane kanë pezulluar blerjet ose synojnë të heqin gradualisht 2.1 milionë fuçi të kombinuara në ditë, të importeve ruse, sipas JP Morgan.

Kompanitë evropiane, në mesin e tyre Shell, TotalEnergies, Repsol dhe BP (British Petroleum), nuk blejnë më asnjë produkt të rafinuar me përmbajtje ruse.

Sipas dokumenteve që i ka parë agjencia Reuters, disa kompani transporti po kërkojnë, gjithashtu, garanci që ngarkesat të mos kenë origjinë ose interes rus dhe të mos jenë transferuar nga një anije me lidhje ruse.

Pse është aq i vështirë gjurmimi i mallrave ruse?

Pavarësisht të gjitha dokumenteve, nuk ka asnjë garanci për eliminimin e ndonjë gjurme të hidrokarbureve ruse pasi të hyjnë në qendrën kryesore të importit të naftës të BE-së, në kompleksin Amsterdam-Rotterdam-Antwerp (ARA) - i përbërë nga tetë porte të shtrira në dy vende.

Janë 96 terminale dhe 6,300 depozita magazinimi në pronësi të qindra kompanive ndërkombëtare të naftës.

"Disa produkte të përpunuara në rafineritë evropiane do të vazhdojnë të përmbajnë naftë ruse", thotë Shell. "Në të njëjtën kohë, shumë produkte si nafta zakonisht përzihen - që do të thotë se një pjesë e lëngjeve të përziera në tubacione dhe rezervuarë që ushqejnë të gjithë industrinë, do ta kenë origjinën nga Rusia".

Cuneyt Kazokoglu, zyrtar që merret me analizat e kërkesave të naftës, tha se në ARA, nafta ruse e përzier mund të shfaqet në të dhënat doganore thjesht si karburant nga Holanda.

"Unë mendoj se shumë vende evropiane do të citojnë importet nga 'Hollanda' për të fshehur origjinën e produkteve ruse", tha Kazokoglu.

Ku shkon vaji nga ARA?

Karburanti mund të bartet në ngarkesa dhe të rieksportohet në rajone dhe vende të tjera. Ai mund të shkojë me maune në terminalet e tjera brenda të njëjtit port, ose të zbresë në lumin Rhine për në Zvicër, Francë dhe Gjermani. Kjo mund ta fshehë origjinën e karburantit, thanë tregtarët.

Nga qendra e ARA-s, produktet e naftës mund të shpërndahen përmes Sistemit të Gazsjellësit të Evropës Qendrore të NATO-s (CEPS), i cili lidhet me gjashtë porte detare dhe 11 rafineri në të gjithë kontinentin, tri stacione hekurudhore, 16 për ngarkimin e kamionëve dhe gjashtë aeroporte ndërkombëtare.

"Nëse nuk është një pronar rus, atëherë përveç certifikatës së origjinës - por edhe kjo mund të ndryshohet - është e vështirë për terminalin (magazinimi) të identifikojë origjinën e produkteve", tha Krien van Beek, një ndërmjetës në ODIN-RVB Tank, Storage Solutions në Roterdam.

Çfarë po bëjnë kompanitë gjatë operimit të tyre?

Blerësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë ndarje mbi origjinën e vajit të përzier nga vendet e magazinimit për të marrë vendimin e tyre nëse mund ta pranojnë atë. Por, dokumentacioni i origjinës plotësisht i gjurmueshëm nuk është gjithmonë i disponueshëm në një afat kohor të arsyeshëm para se të arrihet një marrëveshje.

Disa qiramarrës të anijeve ofrojnë një certifikatë që tregon në hollësi se ku është prodhuar ose përpunuar karburanti. Ndërsa, autoriteti doganor i një vendi do të kishte qasje në ato të dhëna me ngarkesat e importuara, dokumentet konsiderohen konfidenciale.

Shell klasifikonte më parë mallrat me origjinë ruse si ato me 50 për qind ose më shumë, të përmbajtjes së tyre nga karburanti i prodhuar në Rusi.

Por, kompania, kohët e fundit, ashpërsoi kufizimet e saj për blerjen e naftës ruse, duke thënë se nuk do të pranonte më produkte të rafinuara me përmbajtje ruse, përfshirë karburantet e përziera, sipas klauzolave në kontratat e saj tregtare.

Kufizimi, megjithatë, zbatohet vetëm për platformat ku kompanitë lejohen të fusin klauzolat e tyre dhe do të përjashtonte kontratën e naftës në bursën kryesore ICE, tha një burim që njeh mirë situatën.

Disa tregtarë të tjerë vazhdojnë të vlerësojnë nëse një përzierje nafte, për shembull, që përmban deri në 49 për qind naftë ruse, do të llogaritet si një produkt jo-rus, thanë tri burime tregtare për agjencinë Reuters.

Përgatiti: Shkëlqim Hysenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG