Ndërlidhjet

Opozita maqedonase paralajmëron bllokimin e Kuvendit


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Fotografi nga arkivi.

VMRO DPMNE-ja ka paralajmëruar se do të bllokojë punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nëse shumica parlamentare refuzon kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryetari i kësaj partie opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, ka thënë se zgjedhjet janë zgjidhje e vetme për nxjerrjen e vendit, sipas tij, nga kriza e thellë ekonomike, sociale e politike.

“Ne, në organet e partisë, do të propozojmë format për ta detyruar pushtetin të pranojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Do të nisim me bllokimin e punës së Kuvendit. Bllokimi i punës do të përfshijë gjithçka përveç nëse do të ketë ligje për rritje pagash apo për ndonjë ndihmë për qytetarët. Gjithçka tjetër do të bllokohet nga Grupi Parlamentar i VMRO DPMNE-së, qoftë përmes amendamenteve apo fjalimeve nëpër komisionet parlamentare”, ka deklaruar Mickoski.

Ai ka thënë se Qeveria aktuale nuk e ka legjitimitetin për të vazhduar me qeverisjen e vendit, andaj ka bërë të ditur se në mbledhjen e organeve të partisë të mërkurën në mbrëmje do të propozojë bllokimin e punës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Zgjedhjet e parakohshme kërkohen edhe nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

“Shumica parlamentare nuk ka asnjë lloj legjitimiteti. Kjo Qeveri u formua pas dorëheqjes së Zoran Zaevit përmes kombinimeve të ndryshme vetëm për sigurimin e votave. Legjitimiteti fitohet nga qytetarët, prandaj duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka bërë të ditur Aleanca për Shqiptarët.

Por, Lidhja Social Demokrate në pushtet, kërkesën e opozitës, në veçanti paralajmërimin e VMRO DPMNE-së, e vlerëson të dëmshëm, në kohën kur, sipas saj, vendi po përballet me krizë ekonomike.

“Në kohën e krizës më të madhe në vend, kur qytetarët kanë nevojë për një Kuvend funksional që miraton ligje në interes të qytetarëve, Hristijan Mickoski vendos t’i forcojë bllokadat. Nga ai dhe VMRO-DPMNE nuk pritej asgjë tjetër. Ata vazhdojnë në të njëjtin stil, me të njëjtën matricë, me qëllimin e vetëm, bllokimin e shtetit”, thuhet në një reagim me shkrim të LSDM-së.

Kjo parti, thotë se “mbetet e hapur për të gjitha propozimet me qëllime të mira dhe konstruktive”, duke dënuar, sipas saj, përpjekjet për bllokada dhe kriza artificiale për interesa personale dhe partiake.

LSDM-ja, e cila drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se “nuk do të lejojë që bllokadat e Mickoskit dhe VMRO DPMNE-së kriminale ta dëmtojnë shtetin”.

Bashkimi Demokratik për Integrim është kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare këtë vit siç kërkon VMRO DPMNE-ja. Sipas BDI-së, zgjedhje të parakohshme mund të ketë, por vetëm në prill të vitit 2024 së bashku më zgjedhjet presidenciale, apo vetëm 3 muaj para afatit të rregullt të zgjedhjeve parlamentare.

Artan Grubi, sekretar organizativ i BDI-së, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk i shërbejnë vendit, por strukturave që synojnë destabilizimin e rajonit.

“BDI-ja si pjesë e koalicionit qeveritar e përkrah fuqishëm shumicën parlamentare, koalicionin qeverisës. Qytetarëve nuk iu duhen paparashikueshmëri, qytetarëve nuk iu duhen aventura të zgjedhjeve, sepse ato iu duhen vetëm agjendave destabilizuese të rajonit, të cilat i bën dikush tjetër. Pra, neve na duhet një Qeveri e përgjegjshme, sociale, e cila e dëgjon qytetarin dhe i realizon projektet”, thotë Grubi.

Qeveria, që drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, u formua në janar të këtij viti duke zëvendësuar atë paraprake të Zoran Zaevit, i cili dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet lokale më 31 tetot të vitit 2021.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin mbajtur më 15 korrik të vitit 2020.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG