Ndërlidhjet

Shkup: Punëtorët kërkojnë rritjen e pagave


Protesta e punëtorëve në Maqedoninë e Veriut. 1 maj 2022.
Protesta e punëtorëve në Maqedoninë e Veriut. 1 maj 2022.

Nën tingujt e këngës “Bella Ciao”, mijëra punonjës të dielën protestuan në Shkup për rritjen e pagave dhe kushte më të mira në punë, duke shënuar kështu 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

“Ne iu kemi ndërtuar shtet, ju na keni lënë pa rrogë”, “Luksi juaj është nga puna jonë”, “Paga të rritet, të rinjtë të qëndrojnë”, “Gjithçka duhet të ndërpritet që punëtori të mbijetojë”, Pa fajdexhinj, shefa dhe bankierë mundemi, pa punëtorë nuk mundemi”, “Nuk ka punë pa para”, këto ishin vetëm disa nga pankarat që mbanin në duar punëtorët në protestën e organizuar nga Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë së Veriut.

Protestuesit kërkuan rritjen e menjëhershme të pagave prej 2,806 denarë apo rreth 45 euro, zbatimin e Marrëveshjeve Kolektive, ndalimin e presioneve dhe kërcënimeve ndaj punëtorëve si dhe kushte më të mira në punë.

“Paga më të larta që nga dita e hënë, sepse kriza ekonomike e ka ngrënë pagën e punëtorit. Tërhiqni ankesat për të anuluar të dielën ditë jopune. Ne nuk do të jemi robërit tuaj që shtatë ditë në javë të punojmë. Do të mblidhemi, do të bllokojmë gjithçka dhe kjo protestë do të kthehet në grevë dhe kjo do të thotë ndërprerje e punës në orar të punës”, tha Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.

Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së punonjësve të ndërtimtarisë, tha se është e papranueshme që qeveritë “të luajnë me të drejtat e punëtorëve”, duke përsëritur kërkesat e sindikatës për rritje lineare të pagave, por edhe miratimin e ligjit të ri për punësim dhe lehtësira në stazhin e punës për disa veprimtari ekonomike.

“Të gjitha krizat godasin xhepin e punëtorit”, tha Pesevski duke shtuar se shumë nga ata që protestuan të dielën nuk kishin para për të festuar ndryshe 1 Majin.

Në Maqedoninë e Veriut deri të premten në grevë ishin rreth 30 mijë punonjës të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm. Ata kërkojnë rritjen e pagave për 18.4 për qind. Rroga e tyre sillet mes 350 dhe 365 euro. Sindikata e arsimit ka pezulluar grevën për dhjetë ditë për t’i dhënë mundësi negociatave, por në rast të dështimit, nga kjo sindikatë kanë thënë se greva sërish do të aktivizohet.

Grevë kanë paralajmëruar edhe punonjësit administratës gjyqësore dhe të shërbimeve tjetër përfshirë edhe të punësuarit në shërbimin e librave amë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka thënë se është e gatshme për bisedime, por jo edhe për siç ka thënë, “kushtëzime e shantazhe me prapavija politike”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG