Mosharmonizimi i pagave të punëtorëve në raport me rritjen e pagës minimale, ka bërë që punëtorët në Maqedoninë e Veriut, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve, 1 Majin, ta presin me protesta masive.
Nga Lidhja e Sindikatave, e cila është organizatore e protestës të së dielës, kanë bërë të ditur se kërkesë thelbësore mbetet rritja lineare e pagave të të gjithë punëtorëve në harmonizim me pagën minimale, përfshirë këtu sektorin publik dhe atë privat.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shpenzimet për jetesë brenda vitit janë rritur për 9 për qind, kundrejt rritjes së pagës mesatare prej 7 për qind krahasuar me muajin shkurt të një viti më herët.
Sindikalistët thonë se vala e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve etj., e bën të papërballueshme mbijetesën me të ardhurat që marrin.
Një nga ata që shpreh indinjatën për mosrritjen e pagës në harmoni me rritjen e pagës minimale është dhe Ismail Samakova, i cili më shumë se 30 vjet punon në administratën e shtetit.
Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se pagat në Maqedoninë e Veriut nuk mundësojnë një jetë me dinjitet.
“Kërkesë jo vetëm e imja, por e të gjithë punëtorëve është që të gjitha pagat të rriten ashtu siç u rrit paga minimale që të kemi një jetë normale. Ne nuk jemi mësuar të jetojmë në luks, por thjesht kërkojmë të kemi një jetë me dinjitet. E shini sa është shtrenjtuar rryma, faturat bëhen të papërballueshme, një shishe vaj ka shkuar në 150 denarë nuk di se çka të flas. Është bërë e vështirë të kalohet muaji me këto paga”, thotë Samakova.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, Darko Dimovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes protestës së një majit ku është paraparë të marrin pjesë punëtorët nga sektori publik dhe ai privat, synohet t’i dërgohet një porosi e qartë Qeverisë, po njëkohësisht të gjithë punëdhënëse, se nuk do të lejojnë t’u shkelet dinjiteti punëtorëve.
“Do të mblidhemi të gjithë punëtorët që t’i çojmë dhe t’i kërkojmë të drejtat tona në pajtim me ligjet dhe me marrëveshjet kolektive dhe t’u drejtojmë porosi të qartë të zgjedhurve të popullit, punëdhënësve dhe Qeverisë, se kërkojmë rroga më të larta në këtë krizë ekonomike, energjetike dhe, më e reja, krizë të luftës, që të mund të mbijetojmë si punëtorë dhe ajo çka e punojmë të jetë e vlerësuar me dinjitet”, thotë Dimovski, duke bërë të ditur se në bazë të analizave që ka Lidhja e Sindikatave, më shumë se 700.000 punëtorë në Maqedoninë e Veriut, janë të prekur nga nevoja e rritjes së pagës si rrjedhojë e rritjes së inflacionit.
Kërkesa për harmonizimin e pagave pasoi rritjen e pagës minimale për rreth 50 euro, përkatësisht rritjes nga 15 mijë në 18 mijë denarë ku janë të përfshirë rreth 80 mijë punonjës.
Ligji për pagën minimale parashikon që brenda gjashtë muajve, sipas nenit 8, të gjitha pagat e tjera, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të rriten gradualisht.
Nga Konfederata e Sindikatave të Lira theksojnë se rritja e pagave të tjera në harmoi me pagën minimale duhet të ndodhë menjëherë dhe jo në mënyrë graduale, pasi thonë se “rritja e pagës minimale, ka sjellë deri te barazimi i pagave në vende të ndryshme të punës”.
Nga Konfederata e Sindikatave të Lira thonë se në këtë situatë kur ka pësuar rritje paga minimale, por jo dhe pagat tjera, meqë punëtorët më pak të kualifikuar që marrin paga të njëjta me ata me kualifikime më të larta.
“Kërkojmë harmonizimin e pagave në bazë të rritjes së pagës minimale, sepse në 4 vitet e fundit paga minimale u rrit për 78 për qind, ndërsa pagat në sektorin publik vetëm 5 për qind”, ka thotë Bllagoje Ralpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.
Ndër kërkesat thelbësore të punëtorëve mbetet dhe respektimi i ligjeve që garantojnë të drejtat e punëtorëve.
Nga Lidhja e Sindikatave thonë se një pjesë e konsiderueshme e punëdhënësve shkelin Ligjin për marrëdhënie pune, me të cilin e diela është ditë pushimi.
Autoritetet qeveritare thonë se nuk janë kundër rritjes lineare të pagave për çka, siç bëjnë të ditur, janë duke u zhvilluar bisedime me sindikalistët në kuadër të dialogut social, por shtojnë se nevojitet kohë, pa precizuar se sa është ajo, që rritja e pagave mos prodhojë efekte inflacioni.
Ndryshe, pas grevës prej më shumë se dy javëve, Sindikata e Arsimit dhe Shkencës e ka pezulluar grevën me arritjen e ujdisë që pagat e mësimdhënësve të rriten për 12 për qind.
Por, këtë javë është futur në grevë Drejtoria e librave amë, me ç’rast qytetarët nuk mund të nxjerrin asnjë dokument nga ky institucion.
Facebook Forum