Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten, 29 prill, se autoritetet po punojnë intensivisht në hetimin e sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në komunat veriore.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Gjatë një raportimi për punën e tij para deputetëve të Kosovës, Sveçla ka thënë se gjashtë sulmet ndaj Policisë në javët e fundit “kanë sjellë një ndjenjë të pasigurisë te qytetarët atje”.
“Këto sulme mbi të gjitha kanë prapavijë tjetër, me synimin për të shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët dhe për të destabilizuar situatën në vendin tonë”, ka deklaruar ai.
Në periudhën 13-26 prill, Policia e Kosovës ka regjistruar gjashtë sulme ndaj saj.
Në sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë, sipas autoriteteve, janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.
Sipas Sveçlës, lidhur me këto sulme janë rritur aktivitetet hetimore në zonën e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe. Megjithatë ai nuk ka përmendur nëse deri më tani është identifikuar ndonjë i dyshuar për këto sulme.
“Unë jam optimist që për një afat shumë të shpejtë do të kemi rezultatet e duhura [të hetimit] në këtë fushë”, ka thënën mes tjerash Sveçla.
Ai ka përsëritur se autoritetet e Kosovës konsiderojnë që sulmet mund të jenë si pasojë e pakënaqësisë “për shtrirjen e ligjshmërisë” në atë zonë.
“Në dukje këto sulme po bëhen për shkak të luftimit të kontrabandës nga ana jonë”, tha ai.
Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti ka njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sveçla atëherë ka thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe në tetor të vitit të kaluar Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.
Misioni i NATO-s në Kosovë - KFOR, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së, i kanë dënuar sulmet kundër Policisë së Kosovës, duke kërkuar që të mos bëhen veprime që mund t’i përshkallëzojnë tensionet në atë zonë.