Partia Demokratike e Kosovës (PDK), subjekti më i madh opozitar në Kuvend, më 22 prill dorëzoi në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kallëzimi penal ndaj këtij bordi është bërë për siç thuhet, “moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë”.
Kallëzimi penal është dorëzuar nga Faton Fetahu, avokat i angazhuar nga PDK-ja.
“Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, mirëpritëm një veprim të ZRRE-së për të njoftuar KEDS-in dhe KESKO-s që qytetarët të mos faturohen me çmimin e shtrenjtë të energjisë, por kemi parë që ZRRE-ja nuk ka zbatuar vendimin”, tha Fetahu.
Më 9 prill, dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike, Gjykata Themelore pezulloi ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së, duke thënë se propozimi për pezullim “ka qenë i bazuar”.
Procesi gjyqësor për padinë e ushtruar nga PDK-ja vazhdon, por deri në vendimin përfundimtar, gjykata ka thënë se faturat me rritje duhet të pezullohen.
Avokati Fetahu tha se me moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bordi i ZRRE-së ka “konsumuar veprat penale: mosekzekutimi i vendimit të gjykatës, mosrespektimi i gjykatës dhe keqpërdorim i pozitës të autoritetit zyrtar”.
Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Siç është njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë.
Gjatë tarifave të shtrenjta, qytetarët që harxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë.
Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar; pra, ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.
ZRRE-ja ka marrë vendimin për shtrenjtim të rrymës pas rritjes së çmimeve të gazit në nivel botëror.
Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo është detyruar të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta dhe kjo është reflektuar pastaj edhe në faturat e reja për qytetarët.