Ndërlidhjet

OKB: Lufta në Ukrainë mund të shkatërrojë shumë shtete të varfra


Një mbledhje e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara
Një mbledhje e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim, të cilat tani po përballen me kosto edhe më të larta të ushqimit dhe energjisë dhe kushte gjithnjë e më të vështira financiare, ka paralajmëruar një grup pune i Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres publikoi raportin më 13 prill, duke thënë se lufta po e rrit një krizë në ushqim, energji dhe financa në vendet më të varfra që tashmë po luftonin për t'u marrë me pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike dhe mungesën e qasjes në financimin e duhur për rimëkëmbjen ekonomike.

“Tani po përballemi me një stuhi të përsosur që kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim”, u tha Guterres gazetarëve.

“Afërsisht 1.7 miliardë njerëz - një e treta e të cilëve tashmë jetojnë në varfëri - tani janë shumë të ekspozuar ndaj ndërprerjeve në ushqim, energji dhe sistemet e financave që po shkaktojnë rritje të varfërisë dhe urisë”, tha ai.

Guterres përmendi gjithashtu faktin se 36 vende importojnë më shumë se gjysmën e grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina.

Rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, duke ardhur në krye të borxheve dërrmuese të shumë vendeve të varfra, mund të çojë në paqëndrueshmëri sociale dhe politike, tha Guterres.

Ai bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës në Ukrainë, heqjen e kufizimeve të eksportit, investimet në energjitë e rinovueshme dhe mbështetje financiare për vendet në zhvillim.

Rusia është eksportuesi kryesor në botë i gazit natyror dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës.

Ndërsa Rusia dhe Bjellorusia fqinje eksportojnë rreth 20 për qind të plehrave fertilizuese në botë.

Guterres tha se çmimet e naftës janë rritur më shumë se 60 për qind gjatë vitit të kaluar, çmimet e gazit natyror janë rritur me 50 për qind në muajt e fundit dhe çmimet e plehrave janë dyfishuar.

Task-forca u bën thirrje vendeve të sigurojnë një rrjedhë të qëndrueshme të ushqimit dhe plehrave përmes tregjeve të hapura, të heqin kufizimet e eksportit dhe të drejtojnë tepricat dhe rezervat për ata që kanë nevojë. Guterres tha se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e çmimeve të ushqimeve dhe qetësimin e paqëndrueshmërisë në tregjet ushqimore.

Sa i përket energjisë, grupi i punës u kërkon qeverive të përmbahen nga grumbullimi, të lëshojnë menjëherë rezervat strategjike të naftës dhe rezervat shtesë dhe të reduktojnë përdorimin e grurit për biokarburante.

Guterres u kërkoi vendeve që të përdorin krizën si një mundësi për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme.

Sa i përket financave, grupi i punës lëshoi "një thirrje urgjente për veprim të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar" për të ndihmuar vendet në zhvillim të shmangin një dekadë tjetër të zhvillimit të humbur ekonomik, "një krizë të përgjithësuar borxhi dhe paqëndrueshmëri sociale dhe politike".

Lufta në Ukrainë nisi me një sulm nga Rusia më 24 shkurt. Pas këtij sulmi, Rusia u përball me sanksione të ashpra nga Perëndimi.

Lufta në Ukrainë ka prodhuar mijëra të vdekur dhe miliona refugjatë.

Ndikimi në ekonomi që nga nisja e luftës në Ukrainë, është vërejtur edhe në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG