Ndërlidhjet

Shkupi mund t'i ngrijë pronat e Gruevskit dhe Mijalkovit


Nikola Gruevski - Fotografi nga arkivi.
Nikola Gruevski - Fotografi nga arkivi.

Përfshirja në listën e të sanksionuarve për vepra korrupsioni nga Departamenti Amerikan i Shtetit e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, dhe ish-shefit të Drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, Sasho Mijalkov, të hënën, paraqet një porosi të qartë politike për subjektet politike në vend se personat që kërcënojnë paqen dhe janë të përfshirë në korrupsion mbeten armiq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thonë njohësit e çështjeve politike.

Drejtori i Drejtorisë për zbulim fFinanciar, Bllazhe Trendafilov, thotë për Radion Evropa e Lirë se prona e këtyre dy personave mund të ngrihet edhe në Maqedoninë e Veriut, nëse Qeveria sjell vendim me fuqi ligjore për këtë gjë.

Trendafilov shpjegon se me automatizëm i zbaton vetëm masat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Listën evropiane dhe atë amerikane e zbatojmë me vendim të Qeverisë. Përderisa Qeveria nuk sjell një vendim të tillë dhe ai vendim nuk publikohet në Gazetën Zyrtare, të njëjtat nuk kanë fuqi ligjore”, thotë Trendafilov.

Nga ana tjetër, Sllagjana Taseva nga organizata Transparency internacional thotë për Radin Evropa e Lirë se së këndejmi puna e kompanive që posedojnë Gruevski dhe Mijallkov edhe jashtë SHBA-së do të ndiqet me shumë rigorozitet.

Xhelal Neziri nga instituti për gazetari hulumtuese, SCOOP, për Radion Evropa e Lirë thotë se ky vendim parqet një porosi të qartë për forcat politike për sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe verimeve kriminale.

“Porosia mendoj se më tepër përmban elemente politike dhe u është drejtuar, si subjekteve politike ku bëjnë pjesë këta persona, po edhe vetë votuesve, se personat e këtillë nuk ndërtojnë miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, partitë politike të cilat do t’i vendosin këta persona në listat e tyre për deputetë apo funksione të tjera, nuk do t’i kenë dyert e hapura për një aleancë më të thellë me Uashingtonin. Pra, kjo është porosia politike që i dërgohet me këtë listë”, thotë Neziri.

Në deklaratën e Departamentit të Thesarit, theksohet se ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka qenë i përfshirë në veprime korruptive ku mes tjerash ka shfrytëzuar influencën politike për përfitime personale dhe të partisë së tij.

“Më saktësisht, ekzistojnë informacione të besueshme se (Nikolla) Gruevski e ka keqpërdorur forcën e funksionit për të kërkuar dhe pranuar ryshfet në këmbim të marrëveshjeve qeveritare, përvetësim të paligjshëm të mjeteve financiare dhe ndërhyrje në proceset zgjedhore në favor të tij dhe partisë së tij”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit.

Por, ish-kryeministri Nikolla Gruevski për përfshirjen e tij në ‘listën e zezë” amerikane ka fajësuar qeverinë aktuale të drejtuar nga Lidhja Social Demokrate dhe George Sorosin, si përkrahës të socialdemokratëve, duke i cilësuar si informacione të pasakta të gjitha akuzat për të cilat ai është futur në këtë listë.

“Edhe pse nuk kam asnjë pronë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndiej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatëve të Maqedonisë”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Gruevski.

Krahas Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallovit, edhe anëtarëve të familjeve të tyre u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski në nëntor të vitit 2018 është arratisur në Hungari përmes një makine diplomatike, shtet ky ku ka marrë statusin e azilit politik.

Sasho Mijalkov, ish-shef i Drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit.
Sasho Mijalkov, ish-shef i Drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit.

Maqedonia e Veriut ka kërkuar nga autoritet hungareze kthimin e tij për t’u përballur me drejtësinë për kryerjen e burgimit prej dy vjetësh, ndërkohë që ndaj tij vazhdon procesi gjyqësor edhe për disa vepra që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare.

Kurse, Sasho Mijallkov i cili më shumë se një dekadë ishte në krye të Drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, përkatësisht deri në maj të vitit 2015, është i dënuar me 12 vjet burgim nën akuzën se bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj drejtorie në mënyrë të paligjshme ka përgjuar më shumë se 20 mijë qytetarë përfshirë këtu dhe politikanë dhe gazetarë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG