Ndërlidhjet

Dhjetëra zyrtarë policorë të arrestuar në Kosovë dhe Shqipëri


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Në një aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Blerim Isufaj, prokuror i rastit.

Aksioni është zhvilluar edhe nga autoritetet e Shqipërisë, duke arrestuar dhjetëra zyrtarë.

IPK-ja ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të së premtes zhvilloi operacionin e gjerë, të koduar me emrin “Pika 2”, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, operacion që i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar.

Aksioni është kryer pas dyshimeve për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

"Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të përfshirë në veprimtari kriminale të veprës penale të 'marrjes së ryshfetit' dhe 'keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar'. Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar", thuhet në njoftimin e IKP-së.

Ndërkohë, sipas njoftimit të SPAK-ut, gjatë hetimeve janë dokumentuar 312 raste të dyshimeve për vepra korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për kalim të kundërligjshëm të kufirit.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se në këtë aksion janë ndaluar si të dyshuar 32 punonjës të Policisë Kufitare në Kukës, përfshirë edhe drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”,“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata në Shqipëri ka shqiptuar masën e arrestit në burg për 17 punonjës të dyshuar të policisë, në arrest shtëpiak për 14 persona të dyshuar dhe janë pezulluar nga detyra tre punonjës policie si të dyshuar.

Në gjysmën e muajit të kaluar, Policia e Kosovës arrestoi 48 policë dhe 2 doganierë në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prizrenit, nën dyshimet për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata u arrestuan në pikat kufitare në Qafë Prush dhe Morinë, pika këto që lidhin Kosovën me Shqipërinë.

Disa prej tyre dyshohen për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.

Dyshohet se ata kanë marrë me qindra euro si ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Pas arrestimit, atyre i'u është caktuar masa e paraburgimit.

Sipas kërkesës për paraburgim të policëve dhe doganierëve të pikës kufitare Qafë Prush, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, rastet kur policët janë “shpërblyer” me nga 20 ose 50 euro ishin të shpeshta. Por, nuk mungonin as rastet kur policët kanë marrë nga 100 euro e deri në 400 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG