Ndërlidhjet

Borxhet e vjetra ua bllokojnë llogaritë bankare qytetarëve


Pamje ne Shkup
Pamje ne Shkup

Femi Mamutovski, 70-vjeçar, nga Shkupi ka më shumë se tre muaj që nuk mund ta marrë pensionin pasi përmes përmbaruesve i është bllokuar llogaria bankare për një borxh të vjetër të para më shumë se 11 vjetëve.

Djali i Femiut, Habib Mamutovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se borxhi bazë ka qenë 4 mijë denarë, (65 euro) por me njehsimin e kamatave dhe taksave të përmbaruesit, ky borxh ka arritur në 18 mijë denarë (300 euro), që është 4.5 herë më i lartë se borxhi bazë.

“Nuk e ka ditur (babai) se e ka të bllokuar llogarinë bankare. Bëmë ankesë tek Avokati i Popullit sepse babait pa paralajmërim iu bllokua llogaria... Babai i ka 70 vjet, ka nevojë për marrjen e ilaçeve pasi është në moshë dhe ai ndihet se më është bërë barrë edhe pse ne jemi mësuar me pak edhe pse me vështirësi për shkak se çmimet janë rritur”, thotë Habib Mamutovski.

Kjo familje për ndihmë i është drejtuar Avokatit të Popullit.

Në këtë segment, në raportin e fundit të Avokatit të Popullit të prezantuar gjatë kësaj jave (29 mars) për vitin 2021, theksohet se pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me fushën e jurisprudencës.

Sipas raportit, nga 436 lëndë me ankesa, prej tyre gati një e treta ka të bëjë me punën e përmbaruesve për shkak të borxheve të vjetra. Vlera e këtyre borxheve pas 10 e më shumë vjetësh është rritur disafish për shkak se kamatat ndëshkuese për disa herë tejkalonin borxhin kryesor.

Avokati i Popullit ka theksuar se janë të nevojshme ndryshime sistemore në pjesën e përllogaritjes së kamatave, pasi, sipas tij, nuk mund të arkëtohet kamata, e cila do të ishte më e madhe se borxhi kryesor.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ka thënë se do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie të detyrimeve si kundërpërgjigje kundrejt kamatave të përmbaruesve ndaj qytetarëve.

“Një numër shumë i madh i ankesave janë si rezultat i faturimeve shumë të larta të borsheve, si rezultat i kamatave. Në këtë drejtim mendoj se është e palejueshme që kamata të jetë trefish më e lartë se borxhi bazë që debitori e ka ndaj kreditorit. Në këtë drejtim mendoj se duhet urgjentisht të intervenohet. Avokati i Popullit do të ngre iniciativë që të ndryshojë Ligji për marrëdhënie obligative (detyrimeve) dhe të kufizohet niveli i kamatës që ka debitori ndaj kreditorit”, ka thënë Ziberi.

Nga zyra e Avokatit të Popullit për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se të mërkurën më 6 prill do të fillojë me punë një grup i ekspertëve për të shqyrtuar të gjitha mangësitë e Ligjit për marrëdhënie të detyrimeve dhe këto sugjerime do t'i adresohen Ministrisë së Drejtësisë, e cila është e obliguar të hartojë propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit në fjalë në përputhje me rekomandimet e marra nga Avokati i Popullit.

Gjithashtu, sipas Avokatit të Popullit, duhet të pësojë ndryshime dhe Ligji për bankat si dhe Ligji për përmbaruesit në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur nga pagesa disa herë më e lartë e borxheve të vjetra.

Ndërkaq, nga Parlamenti thonë se posa të marrin propozim për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie të detyrimeve,do ta vendosin në rend dite për shqyrtim, duke lënë mundësinë që të përfshihen dhe vërejtjet e deputetëve.

Ndryshe, Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve u miratua në vitin 2001 dhe i njëjti është plotësuar dhe ka pësuar ndryshime disa herë, për ta harmonizuar atë me legjislacionin evropian.

Së fundmi, Ligji për marrëdhënie të detyrimeve pësoi ndryshime në shtator të vitit të kaluar. Ndryshimet mundësuan që kamatat të mos të jenë më të larta se borxhi kryesor.

Por, organizatat që në fokus kanë të drejtat e qytetarëve kërkojnë që ligji të zbatohet në mënyrë retroaktive. Kjo do të thotë që i njëjti të vlejë edhe për borxhet e vjetra, duke theksuar se ligji edhe me ndryshimet e plotësimet e fundit, mbetet i paqartë në aspektin juridik, për shkak se nuk është pranuar kërkesa e sektorit civil dhe ekspertëve që të definohet afati i vjetërsisë së borxheve.

Sipas shoqërisë civile, të paqarta mbeten edhe obligimet për kamatat e kontraktuara dhe ato ndëshkuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG