Ndërlidhjet

Ukraina kërkon që simboli ‘Z’ të bëhet i paligjshëm


Simboli 'Z' shihet në dritaren e një makine në Serbi.
Simboli 'Z' shihet në dritaren e një makine në Serbi.

Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin "za pobedu" (për fitore) – dhe është miratuar nga rusët si shenjë për miratim të pushtimit.

Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.

Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.

“’Z’ nënkupton krimet ruse të luftës, bombardim të qyteteve, mijëra ukrainas të vrarë”, ka thënë Kuleba në një postim në Twitter.

“Duhet të ndalohet mbështetja publike e këtij barbarizmi”.

Simboli është parë në disa ndërtesa në Gjermani, si dhe në bluza, flamuj dhe makina.

Ky simbol është parë edhe në shtete e qytete tjera, duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore në Kosovë.

Simboli 'Z' i vizatuar në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut. 12 mars 2022.
Simboli 'Z' i vizatuar në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut. 12 mars 2022.

Lituania është në mesin e shteteve që është duke shqyrtuar mundësinë e ndalimit të përdorimit të simbolit.

Nëse miratohet, ata që shihen me të mund të dënohen me 500 euro gjobë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG