Ministria e Brendshme e Serbisë, i ka bërë thirrje Boban Bogdanoviqit, që gjetjet e tij për vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, t’i ndajë me hetuesit dhe jo mediat.
Deklarata e Ministrisë të martën, 29 mars, vjen pasi Bogdanoviq ka folur për portalin KRIK në Serbi për informacionet e tij rreth vrasjes së Ivanoviqit.
“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) shpreh keqardhje që Bogdanoviq nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e tij, as me prova materiale, e as me deklarata të dëshmitarëve”, është thënë në deklaratën e Ministrisë.
Në të është thënë edhe se pretendimet e Bogdanoviqit "bazohen ekskluzivisht në bisedat e tij të supozuara me të ndjerët, dhe për këtë arsye janë plotësisht të paverifikueshme".
“Propozimin e policëve të MPB-së për deklarim në poligraf, Bogdanoviq e ka refuzuar”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Çfarë publikoi portali KRIK?
Më 29 mars, portali hulumtues KRIK publikoi informacione nga Boban Bogdanoviq, mik i Aleksandar Gligorijeviq Puki, ish-anëtar i klanit të Velko Belivukut, lidhur me atë se kush e organizoi dhe kreu vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Bodganoviq deklaroi për KRIK se Gligorijeviq ka thënë se në vrasjen e Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale. Sipas Bodganoviqit, biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq ka urdhëruar vrasjen, ndërsa Lubomir Lainoviq e ka kryer vrasjen.
Sipas tij, personi që e ka organizuar shkuarjen në Kosovë të Lainoviqit, dhe ka përgatitur aspektin logjistik është Millan Radoiçiq, nënkryetari i partisë së serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Deri më tani, asnjë nga këta persona nuk ka reaguar për pretendimet e Bogdanoviqit.
Velko Belivuk ka qenë drejtues i një prej grupeve të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizan.
Belivuk dhe anëtarët e grupit të tij u arrestuan më 4 shkurt të vitit 2021. Ata akuzohen për pesë vrasje, rrëmbim dhe përdhunim, trafikim armësh dhe droge.
Autoritetet dhe disa media kanë publikuar detaje mbi hetimin ndaj Belivukut, duke paraqitur edhe fotografi të trupave të gjymtuar dhe të therur, duke pretenduar se i përkisnin viktimave të grupit të tij.
Aleksandar Gligorijeviq, i cili dyshohet se kishte për detyrë të paguante vrasësin e Ivanoviqit, u zhduk në mes të vitit 2020 dhe sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar, pas vrasjes së Ivanoviqit qëndron Belivuku.
Sipas KRIK-ut, Lubomir Lainoviq – që Bogdanoviq pretendon se e ka vrarë Oliver Ivanoviqin – është djali i kriminelit Branisllav Lainoviq, i cili është vrarë mbi 20 vjet më parë. Sipas raportimeve të mediave, Lubomir Lainoviq është zhdukur në vitin 2020.
Zvonko Vesellinoviq, biznesmeni nga veriu i Kosovës, së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, janë të dyshuar për disa vepra penale dhe ndaj tyre janë zhvilluar disa procese para organeve të drejtësisë në Serbi.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Prokurorinë për Krim të Organizuar se si do të veprojë për këto pretendime, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.
Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviqit?
Oliver Ivanoviq, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, ndërkaq në janar u mbajt seanca ku dëshmuan dy dëshmitarë.
Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviq (oficer policie), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviq (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviq (oficer policie), Zharko Jovanoviq (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen). Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.