Ndërlidhjet

AUV shton kontrollin lidhur me gripin e shpezëve  


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me gripin e shpezëve dhe situata në terren është nën kontroll, thanë zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe infektologë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, tha për Radion Evropa e Lirë se monitorimi i situatës në terren është shtuar pas konfirmimit të prezencës së gripit të shpezëve, apo si njihet ndryshe virusi H5N8, në shtetin fqinj, Shqipëri.

“Më 21 mars, AUV ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla nga zona e prekur në Shqipëri. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin e veterinarisë së Shqipërisë për shkëmbim informatash lidhur me incidencën e mundësisë së përhapjes së sëmundjes”, tha Thaçi.

Përveç importit të shpezëve, Thaçi tha se nga Shqipëria është ndaluar edhe importi i vezëve.

Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar më 20 mars se kanë konfirmuar rastin e parë të gripit të shpezëve, kurse deri më 22 mars kanë ngordhur rreth 340,000 shpezë.

Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndoshë dhe mund të bartet edhe te njerëzit. Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt, nga ferma në fermë, duke bartur virusin në veshjet e tyre.

Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropën e Lirë, se deri më tani nuk ka ndonjë person të infektuar me gripin e shpezëve.

Virusi H5N8 është virus vdekjeprurës për shpezët në ferma dhe shpezët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë punëtorë të një ferme u infektuan në Rusi me këtë virus.Ky virus është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014.

Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum dhjetë ditë, për të kontrolluar simptomat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG