Rusia ka përdorur raketat e reja hipersonike Kinzhal për herë të parë në Ukrainë të premten, duke shkatërruar një depo të armëve në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
“Sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aerobalistike hipersonike ka shkatërruar një depo të madhe nëntokësore ku ruheshin raketa dhe municione të aviacionit në fshatin Deliatin në rajonin Ivano-Frankivs”, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, Ria Novosti tha se kjo është hera e parë që janë përdorur armët hipersonike Kinzhal, në atë që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
Më herët, Rusia asnjëherë nuk ka pranuar se ka përdorur raketa hipersonike gjatë luftimeve.
Këto raketa balistike mund të fluturojnë shumë lartë në atmosferë me pesë herë shpejtësinë e zërit.
Sipas ushtrisë ruse, sistemi raketor Kinzhal që u përdor në sulm është i aftë që të godas caqe në një distancë prej më shumë se 2,000 kilometrash dhe mund të shmangë sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore dhe raketore.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Në kundërpërgjigje, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.