Ndërlidhjet

Kërkohet një muaj paraburgim për policët dhe doganierët


Pallati i Drejtësisë në Prishtinë. Fotografi ilustruese.
Pallati i Drejtësisë në Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për 25 të pandehur - zyrtarë policorë dhe doganorë - të cilët dyshohen për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata që të shqiptojë masën e paraburgimit prej një muaji për 50 zyrtarët policorë dhe doganorë, të ndaluar më 14 mars.

Vendimi për pjesën tjetër do të merret të mërkurën, 16 mars.

Avokati i njërit prej të pandehurve, Agon Rrecaj, e ka cilësuar si të pabazuar kërkesën për paraburgim, pasi sipas tij, Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë apo dëshmi tjetër për të dëshmuar ekzistimin e ndonjërit prej kushteve të veçanta për caktimin e masës së paraburgimit.

“Ta keni parasysh se, Prokuroria, si arsye për caktimin e kësaj mase e cilëson rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndërsa ne fakt të gjithë zyrtarët policorë tanimë veçse janë të suspenduar nga puna, prandaj si është e mundur që të njëjtit të përsërisin veprat penale kur janë të suspenduar nga puna, përfshirë vetë klientin tim? Sa i përket provave që i posedon Prokuroria, mbetet që ato të vlerësohen në fazat e mëtutjeshme të procedurës”, tha avokati Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Klienti i tij, polici A.TH, dyshohet për kryerjen e veprave penale: pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.

Ai dyshohet për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësonte qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas kërkesës për vendosjen e masës së paraburgimit, thuhet se të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë dhe doganorë, prej muajit shkurt deri në muajin dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, duke vepruar në mënyrë të organizuar apo edhe individualisht, me qëllim të përftimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, duke iu mundësuar që të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore.

Më 14 mars, u arrestuan 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë. Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, tha se të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në mbi 400 aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.

Inspektorati veçse ka ndërmarrë masat për suspendimin e policëve të arrestuar.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka nisur një vit më parë ndaj 68 personave dhe disa persona janë ende në arrati, përfshirë edhe shtetas të Shqipërisë.

Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së janë dy togerë policorë, pesë reshterë dhe dy zyrtarë doganorë.

Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG