Vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ka shënuar humbje rreth 90 milionë euro.
Humbjet kanë ardhur si pasojë e krizës në tregjet ndërkombëtare të shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë.
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale, prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës.
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngritjes së vlerës së këtij fondi për 11 për qind në vitin 2021, aktualisht po shënohen humbje.
“Rënia e vlerës së investimeve të Fondit Pensional është e pritshme. Aktualisht, kemi një reduktim prej 4 për qind të vlerës”, thotë Demi.
Rusia në orët e para të 24 shkurtit nisi sulmet ndaj Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi “operacion special” për të "çmilitarizuar" Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të problemeve të sanksioneve ekonomike, por edhe për shkak të çrregullimit të tregut ekonomik dhe financiar, paratë e Fondit Pensional do të vazhdojnë të shënojnë rënie.
“Ky vit do të jetë shumë më i dobët. Do të kemi kthim negativ, do të kemi minus në investime”, thotë Bektashi.
Mjetet e Fondit të cilat janë të investuara në Kosovë, shton Bektashi, nuk do të mund t’i mbulojnë të gjitha humbjet që do të realizohen nga investimet që janë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Humbjet në aspektin ekonomik, shton Bektashi, do të jenë deri në përfundimin e luftës, por që me ndërprerjen e luftës, tregjet financiare reagojnë duke rritur indekset e tyre dhe fitmet e realizuara.
Humbjet nuk prekin të gjithë kontribut-paguesit
Bordi drejtues dhe menaxhmenti i Fondit, thotë Jeton Demi, kanë marrë disa masa për të minimizuar humbjet që mund të ketë fondi nga kjo situatë.
Masat e ndërmarra, sipas tij, do t’i mbrojnë ata që dalin në pension brenda 18 muajve.
“Të gjithë kontribuuesit e moshës 63-vjeçare e gjysmë nuk do të ndikohen nga lëvizjet në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo pasi mjetet e dedikuara për ta do të jenë të investuara në Bonot e Republikës së Kosovës, që historikisht kanë pasur një normë interesi prej rreth 3 për qind”, sqaron Demi.
Ndërsa pjesa tjetër, thotë Demi, do të kenë kohë të rikuperimit.
“Kontribut-paguesit edhe ashtu janë në terren pozitiv, meqë të gjithë treguesit për gjashtë muaj e më shumë, janë me kthim pozitiv nga investimet”, thotë Demi.
Viteve të fundit, Fondi i Kursimeve Pensionale kishte pasur kthim pozitiv në investim.
Vetëm në vitin 2021, kthimi në investim ishte më shumë se 200 milionë euro.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65 vjeç.
Facebook Forum