Ndërlidhjet

“Putini nuk është Rusi” – Navalny bën thirrje për protesta ditore


Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny. Fotografi nga arkivi.
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny. Fotografi nga arkivi.

Lideri i burgosur opozitar i Rusisë, Aleksei Navalny ka bërë thirrje për protesta ditore pas vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën, duke thënë se Rusia nuk mund të bëhet “komb i njerëzve të frikësuar dhe të heshtur”.

Në një postim të gjatë në Twitter, kritiku i Kremlinit e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin “car të çmendur” për nisje të luftës në Ukrainë, duke ua kujtuar rusëve mantrën e epokës sovjetike të “luftës për paqe”.

“Të mos bëhemi komb i frikësuar dhe i heshtur, komb që pretendon se nuk po e vëren luftën agresive të nisur kundër Ukrainës nga cari i çmendur”, ka thënë Navalny.

“Putini nuk është Rusi”.

Navlany, kritiku më i ashpër i Putinit, është burgosur më 2021 pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas helmimit gati fatal me agjent nervor.

Ai ka fajësuar Putinin për tentim-vrasje, pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Protestat sporadike janë parë nëpër Rusi prej kur Moska ka nisur pushtimin, por policia ka shtypur këto organizime.

Sipas faqes, OVD-Info, organizatë joqeveritare që vëzhgon arrestimet nëpër Rusi, 6,835 persona janë ndalur deri më tani në protestat kundër luftës.

“Ne duhet të tejkalojmë frikën, të dalim dhe të kërkojmë dhënien fund të luftës… secili person i arrestuar duhet të zëvendësohet me dy të rinj”, ka shkruar Navalny.

“Gjithçka ka çmim dhe tani, në pranverën e vitit 2022, ne duhet të paguajmë këtë çmim. Askush tjetër. Të mos bëhemi ‘kundër luftës’. Të luftojmë kundër luftës”, ka shtuar mes tjerash ai.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG