Ndërlidhjet

Biden: Putin do të paguajë çmim të lartë


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë fjalimit në Kongres, 1 mars, 2022.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë fjalimit në Kongres, 1 mars, 2022.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kritikoi fuqishëm homologun rus, Vladimir Putin, për, siç tha, “sulmin e paramenduar dhe të paprovokuar” kundër Ukrainës.

Biden mbajti të martën mbrëma fjalimin e parë mbi gjendjen në vend. E pranishme në Kongres ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.

“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq t’i tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bëjë atë të përkulet përpara mënyrave të tij kërcënuese. Por, ai llogariti keq”, tha Biden, duke e përshkruar popullin ukrainas si “një mur force”, të cilin, siç tha, Putin “nuk e ka imagjinuar kurrë”.

  • Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.

Biden lavdëroi homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe qytetarët ukrainas për, siç tha, “guximin dhe vendosmërinë”, që kanë frymëzuar botën.

“Putini mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas”, tha Biden.

Biden thotë se Putin e "llogariti keq" sulmin ndaj Ukrainës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Ai tha se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë treguar se Perëndimi qëndron përkrah Ukrainës.

Ai tha se historia ka treguar se “kur diktatorët nuk paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos”.

“Gjatë gjithë historisë sonë e kemi mësuar këtë mësim”.

“Kjo është arsyeja përse Aleanca e NATO-s është krijuar - për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara janë anëtare, së bashku me 29 vende të tjera”, tha Biden.

Sipas tij, Putin i ka refuzuar përpjekjet për diplomaci dhe ka menduar se Perëndimi dhe NATO-ja nuk do të përgjigjen.

“Ai ka menduar se do të na përçajë. Putin ka gabuar. Ne kemi qenë gati”, tha Biden.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci se NATO-ja nuk do të zgjerojë aleancën e saj ushtarake drejt lindjes.

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin, duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra kundër subjekteve dhe individëve rusë.

Putin ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga ky vend.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.

“Putin tani është i izoluar nga bota më shumë se kurrë”, tha Biden.

“Ne po i shkaktojmë dhimbje Rusisë dhe po mbështesim popullin e Ukrainës”, tha ai, duke aluduar në sanksionet ekonomike dhe të tjera që i janë vënë Rusisë.

Ai shtoi se Putin “është i vetmi fajtor” për pushtimin e Ukrainës dhe premtoi se lideri rus do të paguajë një “çmim të lartë” në afat të gjatë.

Regjimi i Putinit mbështetet nga oligarkë dhe zyrtarë të tjerë të korruptuar, “të cilët kanë nxjerrë miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm”, tha Biden.

Ai u zotua se do të punojë me aleatët evropianë për të konfiskuar “jahte, avionë dhe sende të tjera luksoze ruse”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë publikuar tashmë listat e oligarkëve, kundër të cilëve janë vendosur sanksione.

Biden konfirmoi se administrata e tij po i bllokon të gjitha fluturimet ruse - komerciale dhe private - që të operojnë në hapësirën ajrore të SHBA-së.

Ky vendim pason masa të ngjashme, të ndërmarra nga vendet evropiane dhe Kanadaja.

Biden tha se ndalesa do ta izolojë edhe më shumë Rusinë dhe do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë e saj.

Gjatë fjalimit të mandatuar me Kushtetutë, Biden u ndal edhe te pandemia e koronavirusit dhe ekonomia.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG