Ndërlidhjet

Jahti i oligarkut rus lundroi drejt Tivatit


Jahti "Galactica Super Nova", pronë e miliarderit rus, Vagit Alekperov, duke lundruar në portin e Tivatit në Malin e Zi. Mali i Zi, Tivat, 1 mars, 2022.
Jahti "Galactica Super Nova", pronë e miliarderit rus, Vagit Alekperov, duke lundruar në portin e Tivatit në Malin e Zi. Mali i Zi, Tivat, 1 mars, 2022.

Jahti Galactica Super Nova, i cili dyshohet se është në pronësi të miliarderit rus, Vagit Alekperov, lundroi në portin malazez të Tivatit më 1 mars, pasi që më parë ishte ankoruar në Barcelonë, tregojnë të thënat e faqes së internetit të Marine Traffic (Trafiku detar).

Domethënë, një kërkim i thjeshtë në internet lidh emrin e Vagit Alekperovit me një jaht të quajtur Galactica Super Nova.

Vagit Alekperov është presidenti i kompanisë ruse të naftës Lukoil, pasurinë e të cilit FORBS e ka vlerësuar rreth 20 miliardë dollarë. Jahti i tij është 70 metra i gjatë, ka një pishinë dhe pistë për helikopter, si dhe është ndërtuar për të akomoduar 12 persona. Vlera e anijes llogaritet në rreth 75 milionë euro.

Për shkak të sanksioneve të paralajmëruara të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA), të cilat do të synonin pronat e miliarderëve të lidhur me Qeverinë ruse dhe presidentin Vladimir Putin, disa nga ata i drejtuan jahtet e tyre drejt destinacioneve të reja, përfshirë Malin e Zi, me shpresën se do t’u shmangeshin sanksioneve.

Itinerari i jahtit Galactica Super Nova nga Barcelona (Spanjë) në Tivat (Mali i Zi) sipas portalit Marine Traffic i specializuar në gjurmimin e anijeve. 1 mars, 2022
Itinerari i jahtit Galactica Super Nova nga Barcelona (Spanjë) në Tivat (Mali i Zi) sipas portalit Marine Traffic i specializuar në gjurmimin e anijeve. 1 mars, 2022

Çfarë i parapriu?

Kujtojmë se Këshilli i BE-së vendosi sanksione ndaj 680 personave fizikë dhe 53 personave juridikë nga Rusia, të cilat kanë të bëjnë me veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve të tyre, ndalimin që të kenë fonde në dispozicion dhe ndalimin e hyrjes ose transitit përmes territorit të BE-së.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Vagit Alekperov, tash për tash, nuk është në listën e rusëve të sanksionuar nga BE-ja.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 1 mars, gjatë seancës së Parlamentit Evropian, se BE-ja do të ngrijë pronat e oligarkëve rusë.

Ne kemi mbyllur qiellin tonë për avionët rusë, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve. Ne do të ngrijmë gjithashtu asetet e tyre të tjera - qofshin jahte, makina luksoze apo pasuri të paluajtshme. Këto do t’i ngrijmë plotësisht”, tha Ursula von der Leyen.

Cili është pozicioni i Lukoil-it?

Sipas gazetës Guardian, Lukoil është një objektiv i mundshëm i sanksioneve evropiane, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij gjiganti energjetik për ekonominë ruse, si dhe për faktin që tashmë i nënshtrohet disa sanksioneve amerikane. Nuk specifikohet se për cilat sanksione bëhet fjalë. Kjo është një kompani me rëndësi strategjike për Rusinë.

Më 1 mars, Qeveria e Malit të Zi përsëriti se do të mbështesë plotësisht politikën e BE-së në fushën e sanksioneve ekonomike dhe individuale, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Masat e përmendura nënkuptojnë ngrirjen e mjeteve dhe burimeve ekonomike, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Thirrjet për Qeverinë e Malit të Zi

Organizata joqeveritare MANS (Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar) i bëri thirrje Qeverisë dhe ministrive të njoftojnë se çfarë do të bëjnë që Mali i Zi të mos bëhet një zonë e sigurt për fshehjen e pasurisë së oligarkëve rusë që janë nën goditje të sanksioneve ndërkombëtare ose që kërcënohen nga to.

Si shembull, kjo organizatë e thekson transferimin e jahtit të Alekperit në Mal të Zi.

Cilat janë reagimet e autoriteteve?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Malit të Zi dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale me pyetjen se çfarë po ndodh me pronat e atyre që janë në listën e sanksioneve të BE-së, por nuk ka marrë përgjigje.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Mali i Zi në vazhdimësi ndjek politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian (BE) dhe është njëqind për qind në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së.

“Kjo, ndër të tjera, i referohet edhe sanksioneve kundër Rusisë”, është thënë nga Ministria e Jashtme, të martën, më 28 shkurt.

Jahti "Galactica Super Nova", pronë e miliarderit rus Vagit Alekperov, po lundron në portin e Tivatit në Malin e Zi Adriatik. Mali i Zi, Tivat, 1 mars 2022.
Jahti "Galactica Super Nova", pronë e miliarderit rus Vagit Alekperov, po lundron në portin e Tivatit në Malin e Zi Adriatik. Mali i Zi, Tivat, 1 mars 2022.

A do të duhet të shiten jahtet?

Disa nga agjentët detarë të kontaktuar jozyrtarisht nga Radio Evropa e Lirë, thonë se sanksionet do të nënkuptojnë se pronarët nuk mund t’i shesin apo t’i lënë peng jahtet e tyre, por edhe përdorimi i tyre do të ngrihet.

Duke qenë se këto janë mjete lundruese të shtrenjta dhe mirëmbajtja dhe servisimi i tyre kushton shumë, ata vlerësojnë se një jaht i tillë do të “hante” veten pas pak kohësh.

Organizata joqeveritare MANS vlerëson se Mali i Zi ka qenë një vend për fshehje dhe vendosje të sigurt dhe të pandëshkuar të parave të dyshimta të oligarkëve rusë gjatë ish-qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve.

“Në atë kohë, në veçanti bregdeti malazez u shndërrua në një lavanderi kapitali të pistë të fituar me krim, me garanci të heshtura nga autoritetet e atëhershme se origjina e atyre parave nuk do të vihej në dyshim”, thekson MANS.

Organizata thekson se ngjarjet e fundit tregojnë se Mali i Zi është ende një strehë e pranueshme për oligarkët rusë dhe pronat e tyre, të cilët përpiqen t’iu ikin sanksioneve ndërkombëtare.

Për këtë arsye, siç shtojnë nga kjo organizatë, është e rëndësishme që Qeveria malazeze të krijojë parakushte ligjore që do t’u mundësonin institucioneve shtetërore të konkretizojnë angazhimin e tyre ndaj politikave të BE-së, kur bëhet fjalë për situatën në Ukrainë.

Vagit Alekperov, presidenti i Lukoil-it, regjistroi rënien më të madhe të vlerës neto të pronës së tij, 33 për qind, të enjten, më 24 shkurt, në ditën kur filloi pushtimi rus në Ukrainë.

Rënia prej rreth 6.2 miliardë dollarë, uli asetet e tij në 13 miliardë dollarë, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg-ut.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG