Ndërlidhjet

Dita e gjashtë e luftës në Ukrainë


Pamje pas shpërthimit afër administratës rajonale të Harkivit. 1 mars 2022
Pamje pas shpërthimit afër administratës rajonale të Harkivit. 1 mars 2022

Lufta ruse në Ukrainë ka hyrë në ditën e gjashtë me raportimet se ushtria ruse ka hyrë në qytetin ukrainas Kerson më 1 mars, dhe se një konvoj i gjatë është nisur drejt Kievit.

Pamjet satelitore kanë shfaqur një konvoj rus të gjatë më shumë se 65 kilometra, çka shihet si përpjekje për të rrethuar edhe marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas.

Këto zhvillime kanë ardhur pas bisedimeve për armëpushim që janë zhvilluar mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë më 28 shkurt.

Në to nuk është arritur ndonjë marrëveshje, mirëpo palët janë pajtuar për të zhvilluar negociatat në ditët në vijim.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili në një video-adresim më 28 shkurt u ka bërë thirrje ushtarëve rusë që të injorojnë urdhrat dhe të ndalin luftimet, nuk ka ofruar hollësi për negociatat që janë zhvilluar në Bjellorusi.

Megjithatë, ai ka thënë se Kievi nuk është i përgatitur për të bërë koncesione “kur njëra palë është duke goditur me raketa”.

Zelenskiy ka thënë se Kievi është goditur me tri raketa më 28 shkurt, dhe se qindra sabotues rusë janë duke iu afruar qytetit.

Ai ka thënë se marrja e kontrollit të Kievit mbetet “qëllim kyç” për Moskën.

“Ata duan të thyejnë shtetin tonë, prandaj kryeqyteti është nën kërcënim të vazhdueshëm”, ka thënë Zelenskyi.

Forcat ajrore të Ukrainës kanë raportuar se pesë aeroplanë rusë dhe helikopterë janë rrëzuar gjatë sulmeve ajrore në qytetet ukrainase më 28 shkurt, ndonëse ky informacion nuk është verifikuar.

Në disa video të publikuara nga qyteti i dytë më i madh ukrainas, Harkiv, janë shfaqur ndërtesa të dridhura nga shpërthimet e fuqishme.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Raportimet për sulme në këtë qytet kanë ulur shpresat për arritjen e një marrëveshjeje.

Anton Herashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, ka thënë se dhjetëra persona në Harkiv janë vrarë në sulmet me raketa më 28 shkurt.

Në Harkiv raportohet për dhjetëra viktima civile
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Në Kerson, qytet në veriperëndim të Gadishullit ukrainas të Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia më 2014, kryetari, Ihor Kolykhayev, ka thënë në Facebook se ushtria ruse ka krijuar postblloqe në hyrje të qytetit.

Kolykhayev është zotuar se “Kerson ka qenë dhe do të qëndrojë ukrainas”.

Në vende tjera, dëshmitarët kanë thënë se shpërthimet me raketa kanë dëmtuar banesat më 28 shkurt, përfshirë qytetin ukrainas Çernihiv në kufi me Bjellorusinë.

Në adresimin e tij më 28 shkurt, Zelenskyi u ka thënë forcave ruse që të ulin armët.

“Braktisni pajisjet tuaja. Largohuni nga këtu. Mos u besoni komandantëve tuaj. Mos u besoni atyre që bëjnë propagandë. Vetëm shpëtoni jetët tuaja”, ka thënë Zelenskyi, duke shtuar që më shumë se 4,500 ushtarë rusë kanë humbur jetën gjatë pushtimit rus.

Nuk ka pasur konfirmim as të këtyre shifrave.

Ushtria ruse ka thënë për herë të parë më 27 shkurt se disa ushtarë “janë vrarë dhe plagosur”, por nuk ka dhënë hollësi tjera.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG