Ndërlidhjet

Fjalët dhe veprat e Putinit vënë në pikëpyetje racionalitetin e tij


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Në prill të vitit 2014, pasi Rusia pushtoi Krimenë dhe kur shpërtheu një luftë vdekjeprurëse në Ukrainën lindore, ku Moska nxiti separatizmin dhe mbështeti forcat anti-Kiev, politikani i opozitës Boris Nemtsov përdori një epitet të vrazhdë që sugjeronte se presidenti Vladimir Putin ishte i çekuilibruar mendërisht.

Nemtsov, i cili kundërshtoi me zë të lartë agresionin rus kundër Ukrainës në atë kohë, u qëllua për vdekje pranë Kremlinit shkurtin e ardhshëm.

Shtatë vjet më vonë, Putini ka nisur një përshkallëzim masiv dhe të paprovokuar të luftës në Ukrainë. Fjalët dhe veprimet e tij në javët para pushtimit dhe në ditët që kur Rusia lëshoi raketat e para më 24 shkurt, kanë ngritur një pyetje të pakëndshme dhe gjithnjë e më të pashmangshme: A sillet ai në mënyrë racionale?

Për shumëkë vetë fakti i pushtimit sugjeron se ai po merr vendime (racionale ose jo) të bazuara në një përzierje të paqëndrueshme emocionesh dhe keqinterpretimi të fakteve, që ka shkaktuar gjakderdhje të panevojshme dhe sigurisht që do të shkaktojë edhe më shumë.

"Tani është e qartë se ai është me të vërtetë i divorcuar nga realiteti. Kjo është një tragjedi," shkroi Mark Galeotti, një autor dhe ekspert për Rusinë.

Putini është parë prej kohësh si pragmatik, zakonisht duke vepruar në bazë të një llogaritjeje të ftohtë se çfarë mund të bëjë për të arritur qëllimet e tij - dhe deri ku mund të shkojë pa pasoja.

Por pushtimi dhe lufta mund të sugjerojnë ndryshe. Nëse asgjë tjetër, fokusi i tij laserik në rimarrjen e kontrollit të Ukrainës tre dekada pas rënies sovjetike duket se e ka bërë atë të humbasë vizionin - ose të largojë sytë nga - e mira e vendit të tij.

"Për momentin, vetëm një gjë është e qartë: Putini i dha përparësi obsesionit të tij personal mbi interesat e Rusisë", shkroi Kadri Liik, një anëtar i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, në artikullin e 25 shkurtit “Lufta e Obsesionit: Pse Putin po rrezikon të ardhmen e Rusisë?”

Vendimi i Putinit për të nisur një ofensivë të madhe ushtarake kundër një vendi, njerëzit e të cilit ai ka thënë se janë "një" me rusët mund të duket si kulmi i irracionalitetit.

Putin e vendos forcën bërthamore në gatishmëri të lartë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Një shpjegim tjetër i mundshëm është se Putini e pa sulmin si mënyrën më të mirë për të arritur qëllimet e tij - se ai po vepronte në mënyrë racionale, në një farë mënyre, por bazuar në një grup pretendimesh, besimesh ose supozimesh me të meta të mëdha.

Për vite me radhë, Putini ka sinjalizuar dëshirën e tij për ta sjellë Ukrainën nën kontrollin e Moskës. Dhe ai vuri në lëvizje planet për pushtimin që në pranverën e kaluar, duke rritur nivelet e trupave pranë kufijve të Ukrainës dhe më pas duke i rritur ato numra në mënyrë të qëndrueshme që nga vjeshta.

“Ai po tingëllon i shfrenuar”

Derisa bota e shikonte me frikë dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se një pushtim mund të vinte çdo ditë, shumë njerëz që e kanë parë Putinin për vite me radhë ishin mes atyre që besonin se ai kishte të ngjarë të frenohej - derisa një fjalim mahnitës javën e kaluar e minoi keq këtë besim.

Në fjalimin e 21 shkurtit, Putin dyfishoi përpjekjet e tij të mëparshme për të portretizuar Ukrainën si një shtet të paligjshëm që nuk e meriton sovranitetin dhe nuk duhet të ekzistojë nëse nuk lidhet me Rusinë.

Ai përsëriti gjithashtu pretendimin e tij të rremë se qeveria po kryen "gjenocid" në Donbas, ku separatistët e mbështetur nga Rusia, lufta e të cilëve kundër Kievit ka çuar në më shumë se 13,200 vdekje që nga viti 2014, kontrollojnë pjesë të dy provincave.

Që atëherë, Putini ka grumbulluar më shumë vërejtje që kanë nxitur shqetësime rreth racionalitetit të tij. Më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit, ai e përshkroi në mënyrë të pabazë dhe të çuditshme qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy si një bandë "të varur nga droga" dhe "neo-nazistë".

Për njerëzit që kanë studiuar Putinin ose janë marrë me të personalisht, fjalët dhe veprimet e tij të fundit sugjerojnë një ndryshim befasues.

"Unë e kam parë dhe dëgjuar Putinin për më shumë se 30 vjet. Ai ka ndryshuar," shkroi në Twitter më 26 shkurt, Michael McFaul, ambasadori i SHBA në Rusi në 2012-14 dhe profesor në Universitetin Stanford.

"Ai tingëllon plotësisht i shkëputur nga realiteti. Ai tingëllon i shfrenuar", tha ai.

Edhe pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014 dhe veprimeve të tjera që ai ka ndërmarrë që atëherë, "Putini më është dukur gjithmonë një lider jashtëzakonisht pragmatik", u citua të ketë thënë Tatyana Stanovaya, eksperte për Kremlinin dhe themeluese e grupit të analizës politike R.Politik, në një artikull të 25 shkurtit në The Guardian.

"Por tani kur ai ka hyrë në këtë luftë kundër Ukrainës, logjika në vendim është e gjitha rreth emocioneve, nuk është racionale."

Marco Rubio, një senator republikan amerikan nga Florida dhe nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencën, dukej se sugjeroi në një postim në Twitter më 26 shkurt se ai kishte informacion të klasifikuar nga agjencitë e inteligjencës amerikane në lidhje me gjendjen mendore të Putinit.

“Do të doja të mund të ndaja më shumë, por tani për tani mund të them se është shumë e qartë për shumë njerëz që diçka nuk shkon me Putinin”, shkroi ai.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Putin po operon kryesisht brenda një rrethi të vogël këshilltarësh, shumica prej të cilëve të ashpër.

Kjo mund të nënkuptojë se vendimet merren me një sasi drastike të kufizuar të dhënash dhe mbi bazën e informacionit që mund të jetë i paplotë, i pasaktë ose i filtruar përmes paragjykimeve të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

'Gabime shumë themelore'

Përtej atij rrethi të brendshëm, Putini mund të jetë gjithashtu i ndjeshëm ndaj inkurajimit nga zyrtarë, ligjvënës dhe media shtetërore që kanë për detyrë të lëshojnë propagandë të cilën presidenti, nga ana tjetër, konsumon.

Shumë vëzhgues kanë thënë se fushata ushtarake ruse duket se ka përparuar më ngadalë sesa mund të ketë planifikuar Putini. Pamjet e automjeteve ruse të shkatërruara dhe ushtarëve të vrarë ose të kapur në Ukrainë e kanë shtuar këtë përshtypje.

"Natyrisht, ne mund të bëjmë vetëm konkluzione tentative deri më tani, por ushtria ruse po kryen disa gabime shumë themelore nga niveli strategjik në atë taktik," shkroi Rob Lee, një ish oficer i Trupave Detare të SHBA-së dhe studiues i politikës së luftës në King's College në Londër.

"Putin gjithashtu e vuri ushtrinë e tij në një situatë shumë të keqe me qëllime jorealiste dhe pa i paralajmëruar shumë”, shkroi ai në Twitter më 28 shkurt.

Fushata ushtarake ruse "duket e tmerrshme" sepse supozimet pas saj "ishin të çmendura", tha në Twitter më 27 shkurt Michael Kofman, drejtor i Studimeve për Rusinë në CNA, një institut me bazë në SHBA.

Mungesa e informacionit të saktë dhe skuadrat brohoritëse në median shtetërore dhe parlamentin që i bëjnë jehonë përshkrimeve të tij të çuditshme të situatës në Ukrainë mund të kenë ndikuar në aftësinë e Putinit për të vlerësuar situatën në Ukrainë dhe për të planifikuar në mënyrë efektive pushtimin.

"Ai u përpoq të kryente një operacion të shkurtër me shpresën se pala ukrainase do të shembet - nga lidershipi më i lartë te ushtarët në fushën e betejës. Është e mundur që i çmenduri po llogariste seriozisht në mbajtjen e avantazhit psikologjik dhe moral," shkroi Maksim Trudolyubov, në një blog të publikuar nga Instituti Kennan me qendër në SHBA, më 27 shkurt.

Putin "refuzoi të kuptonte se e gjithë kjo "përparësi" ishte ëndërruar nga kanalet e tij televizive.

Për shumë vite, televizioni dhe shtypi i tij kanë pasur një klient dhe një shikues të vërtetë - vetë Putinin," shkroi Trudolyubov.

"Ai është helmuar nga gënjeshtrat e tij”, tha ai.

Përgatiti: Doruntina Baliu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG