Ndarjet gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit janë thelluar në mënyrë dramatike - ndoshta edhe në mënyrë të pakthyeshme - pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska. Por, diçka e rëndësishme i lidh ende ata, së paku tani për tani: energjia.
Rusia, prej kohësh, ka qenë furnizuesja kryesore e Bashkimit Evropian me gaz natyror. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, ajo ka siguruar pothuajse gjysmën e të gjithë gazit natyror të importuar nga blloku.
Rrjedha Veriore 2
Rrjedha Veriore 2 është një tubacion - në vlerë prej 11 miliardë dollarësh - i projektuar për dërgimin e gazit natyror nga Rusia në Gjermani, nëpërmjet Detit Baltik. Projekti ka shumë kritikë, të cilët thonë se ai do ta rriste varësinë e BE-së nga gazi rus, ndërkohë që do ta privonte Ukrainën nga tarifat jetike të tranzitit, që merr nga tubacionet ekzistuese në territorin e saj..
Pas lëvizjeve të fundit të Kremlinit kundër Ukrainës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar se Berlini ka pezulluar certifikimin e Rrjedhës Veriore 2.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pranuar varësinë e madhe të BE-së nga gazi natyror rus, por ka mbështetur vendimin e Qeverisë gjermane.
Nëse jo në Rusi, atëherë ku?
Ku mund ta marrë BE-ja gazin e saj natyror, përveç Rusisë?
BE-ja është përpjekur ta zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus, por ajo ende varet nga Moska dhe nuk do ta ketë të lehtë të shkëputet plotësisht.
Gjermania gjithashtu mund të importojë nga Norvegjia, Holanda, Britania dhe Danimarka nëpërmjet tubacioneve. Por, Norvegjia thotë se është duke dhënë gaz natyror me kapacitet maksimal dhe se nuk mund të zëvendësojë asnjë furnizim nga Rusia.
Katari, një nga prodhuesit kryesorë në botë të gazit të lëngshëm natyror, ka bërë të ditur se nuk ka kapacitet për t’i zëvendësuar furnizimet me gazin rus në Evropë, duke thënë se shumica e vëllimeve janë të lidhura me kontrata afatgjate.
Pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është zotuar se do ta ndihmojë BE-në që të gjejë gaz natyror nga burime të tjera.
Von der Leyen ka theksuar nevojën e investimit në burime të rinovueshme.