Ndërlidhjet

Qeveria: Kemi rritur sasinë e rezervave shtetërore


Fotografi e realizuar gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.
Fotografi e realizuar gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Kosova ka rritur sasinë e rezervave të saj shtetërore, tha të shtunën ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Ju njoftoj se duke pasur parasysh nivelin jo të kënaqshëm të rezervës shtetërore të viteve të mëhershme, unë them me konfidencë të plotë që shteti ynë me të gjitha veprimet e nevojshme ka rritur sasinë e rezervës shtetërore. Kemi blerë mallra dhe naftë vitin e kaluar për nevojat rezervë, po ashtu edhe këtë vit”, tha ajo, duke shtuar në rezervë shtetërore janë të përfshira produkte ushqimore, nafta e produkte të tjera.

Sipas Hajdarit, shoqatat e mullisëve dhe kultivuesit e grurit e kanë siguruar Qeverinë që ka furnizime dhe se “për tre muaj deri në gjashtë muaj popullata jonë nuk ka nevojë të brengoset”.

Ajo shtoi se në rast nevoje, Kosova ka kanale jashtë vendit dhe mund të sigurojë rezerva shtesë.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se nuk ka nevojë për panik teksa tha se sot kishte parë fotografi të njerëzve duke pritur në radhë për të blerë miell.

“Për më tepër, ditë më parë ne kemi ndarë shumën prej 10 milionë eurove, për t’u furnizuar pikërisht me rezerva shtetërore”, tha ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të mbrojtur popullsinë në rast të ndonjë lufte apo rreziku të drejtpërdrejt nga lufta, emergjencave civile, fatkeqësive ekonologjike e të ngjashme.

Rezervën shtetërore e administron Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas Ligjit për rezerva shtetërore, vendndodhja e mallrave të rezervës shtetërore dhe sasia e tyre konsiderohet sekret shtetëror.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG