Ndërlidhjet

Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, prezantoi konkluzat e arritura në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, lidhur me krizën në Ukrainë.

Duke lexuar konkluzat, Vuçiq tha se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për momentin, sepse ajo “udhëhiqet nga interesat e saj jetike ekonomike dhe politike”.

“Serbia respekton normat e së drejtës ndërkombëtare, por Serbia gjithashtu i kupton mirë nevojat e saj dhe pavarësisht se çfarë do të donte dikush, Serbia ka interesat e saj jetike kombëtare dhe shtetërore. Ajo respekton miqësitë tradicionale”, tha ai.

“Në ditët e mëparshme u përpoqëm dhe arritëm të mbajmë një qëndrim të unifikuar për çështjen e krizës në Ukrainë, për çështjen e veprimeve tona, reagimin tonë dhe të gjitha veprimet që organet tona shtetërore duhet të ndërmarrin në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiq.

Çfarë thotë konkluzat e Serbisë?

Në konkluzion thuhet se Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Por, në konkluza, operacionet ruse nuk u quajtën pushtim i Ukrainës, gjë e cila është qëndrim i vendeve evropiane.

Në fillim të konkluzave thuhet se “Serbia sinqerisht shpreh keqardhje” për ngjarjet në lindje të Evropës. Gjithashtu është thënë se Rusia dhe Ukraina janë shtete mike të Serbisë dhe se populli serb i “konsideron si popuj vëllazëror”.

Sipas konkluzioneve, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, në bashkëpunim me organet e tjera kompetente, do të marrë masa për mbrojtjen e sigurisë së shtetasve serbë që banojnë në Ukrainë.

Gjithashtu thuhet se shteti do të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në konfliktet në Ukrainë, si dhe që do të sanksionohen të gjithë “vullnetarët” që përfshihen në atë konflikt.

Siç u theksua, Serbia do të ofrojë çdo lloj ndihme për njerëzit e rrezikuar dhe popullatën e Ukrainës.

Siç është thënë, Serbia do të pezullojë stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët e huaj deri në një njoftim të dytë.

Vuçiq tha se Serbia e mori vendimin “me maturi, me kokë të ftohtë, në interesin më të mirë të Serbisë”.

Ai theksoi që konkluzat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do t’i procedohen Qeverisë në 48 orët e ardhshme.

“Pozicion i vështirë”

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për sanksionet kundër Rusisë, Vuçiq tha:

“Si mendoni, se ne thjesht do të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse brenda natës, e cila është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj nesh në vitet ‘90, që nuk vendosën sanksione ndaj Republikës Sërpska (entitet në Bosnjë e Hercegovinë)”, pyeti Vuçiq, duke shtuar se Rusia mbronte interesat e Serbisë përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusia mbështet Serbinë në luftën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Vuçiq shtoi se Serbia është në “pozitë të vështirë”, sepse edhe Ukraina e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe se Serbisë “asnjëherë nuk i ka bërë asgjë të keqe”.

Ukraina gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Në ditët e mëparshme, ne u përpoqëm dhe arritëm të mbajmë një qëndrim të unifikuar për krizën në Ukrainë, për veprimet tona, reagimin tonë dhe të gjitha veprimet që organet tona shtetërore duhet të ndërmarrin në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiq në fillim të fjalimit të tij.

Ambasada amerikane ka reaguar ndaj vendimit të Vuçiqit për krizën në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin qëndrimin e përsëritur të Serbisë dhe presidentit, Aleksandar Vuçiq, për mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, i cili është shkelur nga sulmet e paligjshme dhe të paprovokuara nga Rusia, njoftoi më 25 shkurt Ambasada amerikane në Beograd.

Kjo është përgjigja ndaj konkluzionit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të cilin presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e prezantoi më herët në mbrëmje.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në orët e para të 24 shkurtit. Shtetet perëndimore kanë dënuar veprimet e Rusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Nga vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG