Ndërlidhjet

Gjermania mund të funksionojë pa gazin rus, thotë ministri


Gazjellësi rus, Rrjedha Veriore 2.
Gazjellësi rus, Rrjedha Veriore 2.

Gjermania mund të plotësojë nevojat e saj për energji pa gaz rus, tha ministri i saj i ekonomisë të mërkurën, pasi qeveria vendosi të ndalojë miratimin e gazsjellësit të diskutueshëm, i njohur si Rrjedha Veriore 2, në mes të tensioneve në rritje në Ukrainë.

Gazsjellësi nënujor e dërgon drejtpërdrejt gazin rus në Evropë nëpërmjet Gjermanisë dhe është i kompletuar, por ende nuk funksionon.

I pyetur në radion publike nëse ekonomia më e madhe e Evropës mund të bënte pa furnizime me gaz natyror nga Rusia, aktualisht furnizuesi i saj më i madh, Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck u përgjigj: "Po, mundet".

Të martën, kancelari Olaf Scholz tha se miratimi i gazsjellësit nga Rusia do të pezullohej në përgjigje të vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të njohur dy rajone separatiste të Ukrainës.

"Shkëputja plotësisht nga gazi rus do të linte një vrimë të madhe në treg që në radhë të parë do të "rriste çmimet ", tha Habeck i Partisë së Gjelbër.

Megjithatë, kërkesat e Gjermanisë për energji mund të "kompensohen" me burime dhe furnizues të tjerë të energjisë, duke përfshirë një shtytje të përshpejtuar të burimeve të rinovueshme të përcaktuara nga qeveria, tha ai.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2, i cili u përfundua, por nuk u miratua kurrë nga rregullatorët, ishte vendosur të rriste varësinë e Gjermanisë nga Rusia për gaz në 70 për qind të furnizimeve të saj totale.

Çfarë është gazsjellësi Rrjedha Veriore 2?

Është një tubacion gazi natyror, i gjatë 1,230 kilometra, nën Detin Baltik, që shkon nga Rusia drejt bregut baltik të Gjermanisë.

Ai shkon paralel me tubacionin e mëparshëm “Rrjedha Veriore” dhe parashihet se do të dyfishojë kapacitetin e tij, në 110 miliardë metra kubë gaz në vit.

Kjo do të thotë se kompania ruse e gazit “Gazprom” mund të dërgojë gaz në sistemin e tubacioneve të Evropës pa përdorur tubacionet ekzistuese që kalojnë përmes Ukrainës dhe Polonisë.

Tubacioni i ri është i mbushur me gaz, por është në pritje të miratimit nga Gjermania dhe Komisioni Evropian.

Projekti u mbështet vazhdimisht nga kancelarja e mëparshme Angela Merkel, e cila u largua nga detyra në fund të vitit të kaluar, si dhe pasardhësi i saj Scholz - deri në krizën aktuale.

Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck, rajone këto që kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Pas këtij vendimi, shumë vende perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosën sanksione ndaj Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG