Kina ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive amerikane të armëve, Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp, për shkak të shitjes së armëve në Tajvan.
Sanksionet janë kundërmasa ndaj dy kompanive, të cilat më 7 shkurt shitën armë në vlerë prej mbi 100 miliardë dollarësh. Kina tha se kjo shitje “minoi interesat e sigurisë kineze, minoi seriozisht raportet Kinë-SHBA dhe paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.
Pekini thotë se ishulli i Tajvanit është provincë e shkëputur dhe se duhet të bashkohet me Kinën.
“Në përputhje me masat përkatëse të ligjit për sanksionet kundër të huajve, Qeveria kineze ka vendosur që të ndërmarrë kundërmasa për shkak të shkeljeve nga Raytheon Technologies dhe Lockheed Martin”, tha Wang.
“Që të dy këto kompani janë kompani ushtarake dhe për një kohë të gjatë kanë marrë pjesë në shitjen e armëve amerikane në rajonin kinez të Tajvanit”.
Megjithatë, autoritetet kineze nuk kanë dhënë detaje lidhur me natyrën e sanksioneve që kanë vendosur ndaj këtyre kompanive amerikane.
Kjo është hera e parë që kompanitë përballen me sanksione në bazë të ligjit të ri të Kinës për sanksionet ndaj të huajve, që u miratua vitin e kaluar në përgjigje të sanksioneve amerikane kundër kompanive kineze.
Kina edhe më 2019 dhe 2020 kishte njoftuar për sanksione ndaj kompanive Lockheed dhe Raytheon, por Pekini nuk kishte dhënë detaje.