Ndërlidhjet

Blinken: Duket se Rusia është në prag të pushtimit të Ukrainës


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se bazuar në zhvillimet aktuale, duket se Rusia është “në prag” të pushtimit të Ukrainës. Ai po ashtu tha se zgjatja e stërvitjeve ushtarake Rusi-Bjellorusi shton shqetësimet.

Sekretari Blinken tha se presidenti amerikan, Joe Biden, është i përgatitur që deri në minutën e fundit të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, “në çdo kohë dhe në çdo format”.

Pas një paralajmërimi që Biden bëri dy ditë më parë se Putini kishte vendosur tashmë që ta pushtonte Ukrainën, Blinken tha se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që mundet për të penguar Putinin dhe për ta bindur atë që ta ndryshojë vendimin e tij.

Duke folur për CNN më 20 shkurt, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë përgatitur një “pako masive” të sanksioneve ndaj Rusisë, nëse Moska vendos që ta pushojë Ukrainën.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se 150,000 trupa ruse janë grumbulluar afër kufijve të Ukrainës, afro 30,000 të tjera në Bjellorusi dhe mijëra të tjera në rajonet lindore të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët që mbështeten nga Moska.

Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Viktar Khrenin, njoftoi se Rusia dhe Bjellorusia po zgjasin stërvitjet e përbashkëta ushtarake, që fillimisht ishte thënë se do të përfundonin më 20 shkurt, për shkak të, siç tha, “rritjes së aktivitetit ushtarak afër kufijve të jashtëm” të Rusisë dhe Bjellorusisë dhe për shkak të rritjes së tensioneve në lindje të Ukrainës.

Blinken tha se nëse vendosen tani sanksione ndaj Rusisë – ashtu siç ka bërë thirrje gjatë kësaj fundjave presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy – do të zvogëlonte efektivitetin e tyre.

Po ashtu, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka paralajmëruar se SHBA-ja dhe Britania do t’ua ndalojnë qasjen kompanive ruse në dollarët amerikanë dhe funtet britanike, nëse Kremlini vendos që ta sulmojë Ukrainën.

Blinken tha se javën e ardhshme planifikon që të takohet në Evropë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nëse deri atëherë Rusia nuk e pushton Ukrainën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG