Ndërlidhjet

Diplomacia e zbehtë ekonomike e Kosovës


Produkte nga Kosova - Fotografi ilustruese
Produkte nga Kosova - Fotografi ilustruese

Në 14 vjet të shtetësisë, Kosova nuk ka arritur të ndërtojë një “diplomaci ekonomike”, që do t’i përfaqësonte dhe promovonte prodhimet e saj në tregjet ndërkombëtare, thonë prodhues dhe ekspertë të ekonomisë.

Sipas tyre, mungesa e këtij promovimi e ka bërë Kosovën skajshmërisht të varur nga importet.

Mbi 4.6 miliardë euro ka qenë vlera e produkteve të importuara në Kosovë në vitin 2021, ndërsa shumë më pak, 712 milionë euro, ka qenë vlera e eksporteve.

Të dhënat e Doganave të Kosovës tregojnë se trendi ka qenë i ngjashëm edhe në vitin 2020: 3.2 miliardë euro importe; 439 milionë euro eksporte.

Prodhimet e huaja në tregun e Kosovës variojnë nga ato ushqimore deri tek ato ndërtimore.

Bashkim Osmani, nga Klubi i Prodhueseve të Kosovës, thotë se kapacitetet prodhuese për eksport ekzistojnë, por jo edhe angazhimi i shtetit, sipas tij, për t’iu dhënë shtysë atyre në tregun ndërkombëtar.

“Problemi kryesor qëndron te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë [MPJD]. Nga kjo ministri, përveç ambasadorëve, ka edhe zyrtarë në shtete të tjera, që paguhen me taksat tona. Qëllim primar i tyre është të promovojnë ekonominë e vendit. Në shumicën e rasteve, ne as nuk i njohim se kush janë”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Në MPJD, megjithatë, thonë të kundërtën. Nga Zyra për Informim e kësaj ministrie pohojnë se “misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës janë duke u angazhuar për ndërkombëtarizimin e kompanive kosovare, private dhe publike, e rrjedhimisht edhe për rritjen e eksportit”.

“Republika e Kosovës, nga korriku i vitit 2014, ka filluar të ngrejë aftësinë konkurruese të firmave kosovare në sektorë të caktuar për zhvillim të energjisë, industrisë dhe turizmit, të cilat kanë qenë të gatshme t’i plasojnë produktet e tyre në vende të ndryshme të Evropës dhe botës”, thotë MPJD në një deklaratë për REL-in.

Në kuadër të MPJD-së ekziston edhe Departamenti për Diplomaci Ekonomike, i cili, siç thuhet, merret me “promovimin e interesit ekonomik kombëtar të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Bashkim Osmani është edhe pronar i kompanisë “Laberion” në Gjilan, e cila merret me prodhimin e lëngjeve. Kompania e tij eksporton në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në ato të Bashkimit Evropian.

Osmani thotë se asnjë produkt i kompanisë së tij nuk është promovuar nga institucionet shtetërore.

Sipas tij, shumë kompani të Kosovës mund t’iu bëjnë konkurrencë edhe prodhuesve të vendeve të tjera.

“Tashmë ka standarde, ka kuantitet, por ka edhe cilësi... Por, problemi është te mungesa e promovimit të produkteve. Prodhueseve u nevojiten tregje të reja, lobim më serioz, më dinamik nga institucionet e Kosovës”, thotë Osmani.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë reklamohen disa vende turistike dhe një kompani e verës.

Për krahasim, Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë, në periudhën korrik 2020 - korrik 2021 ka promovuar 105 produkte shqiptare, apo “Made in Albania”. Aty janë të publikuar dy katalogë, ku për secilin nga produktet ka të dhëna, përfshirë adresën e prodhuesit, numrin e kontaktit dhe adresën elektronike.

Profesori i ekonomisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu, thotë se diplomacia ekonomike, në 14 vjet shtetësi të Kosovës, “ka qenë e politizuar” dhe “nuk u ka kushtuar vëmendje interesave të bizneseve”.

“Kosova sot e ka të vështirë të kompletojë një tryezë me prodhime ‘Made in Kosova’. Vetë fakti se edhe grurin e importojmë - sepse nuk ka prodhim për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve - dëshmon më së miri varësinë nga importi”, thekson Gërxhaliu.

Kosova përsëri e varur nga importi i grurit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Vetëm në dy vjetët e fundit, Kosova ka importuar nga shtetet fqinje dhe të Evropës miell dhe grurë në vlerë prej mbi 63.5 milionë eurosh.

Vlera më e madhe e produkteve të importuara në Kosovë janë nga vendet e Bashkimit Evropian, pasuar nga vendet nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA): Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG