Ndërlidhjet

SHBA: Pretendimi rus për tërheqje të trupave, i rremë


Trupat ruse shihen nga distanca. Janar 2022.
Trupat ruse shihen nga distanca. Janar 2022.

Pretendimi rus për largim të trupave ushtarake nga kufiri me Ukrainën është “i rremë” sipas një zyrtari të lartë amerikan, i cili ka shtuar se 7,000 trupa shtesë kanë arritur atje në ditët e fundit.

Ky zyrtar ka thënë se Rusia mund të krijojë pretekst “të rremë” për të pushtuar Ukrainën “çdo moment”.

Moska ka thënë se është duke larguar trupat nga kufiri ukrainas, pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.

Mirëpo zyrtarë të Perëndimit kanë thënë se nuk kanë të dhëna për të vërtetuar këtë pretendim.

Ukraina “mund të mbytet” nga Rusia
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

“Rusia duhet të marrë hapa realë drejt uljes së tensioneve”, kanë thënë presidenti amerikan, Joe Biden dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz në një bisedë telefonike të mërkurën, ka njoftuar zyra e kancelarit.

Rusia, e cila vazhdimisht ka mohuar planet për pushtim të Ukrainës, pavarësisht mbledhjes së mbi 100,000 trupave afër kufirit, e konsideron shqetësimin e Perëndimit për pushtim si “histeri”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar pamje që tregojnë largimin e trupave dhe pajisjeve drejt bazave të përhershme.

Mirëpo sipas zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, mijëra trupa kanë arritur në atë zonë ditëve të fundit – duke përfshirë disa edhe të mërkurën.

Duke folur para gazetarëve, ky zyrtar amerikan ka hedhur dyshim në deklaratën ruse për largim të trupave.

“Ata kanë marrë shumë vëmendje për atë pretendim, si këtu, ashtu edhe në botë. Mirëpo ne e dimë se është i rremë”.

Kjo deklaratë ka ardhur disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se “ne nuk shohim tërheqje të trupave ende, ne vetëm kemi dëgjuar për këtë gjë”.

Ai ka folur teksa Ukraina ka shënuar të ashtuquajturën Ditë të Unitetit të mërkurën.

Presidenti Zelensky e ka shpallur këtë festë patriotike në përgjigje të raportimeve të inteligjencës amerikane se Rusia mund ta sulmonte Ukrainën atë ditë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk ka shenja se forcat ruse janë duke ulur tensionet, duke thënë se kërcënimi nga Rusia është kthyer në “normale të re”.

Duke folur në samitin e ministrave të Mbrojtjes në NATO, Stoltenberg ka thënë se aleanca është duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të grupeve të reja luftarake në qendër dhe juglindje të Evropës.

Ai ka thënë se këto plane janë pjesë e masave për të forcuar mbrojtjen në Evropë, ndonëse ka tentuar të sigurojë Rusinë se NATO-ja nuk përbën kërcënim.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se “nuk i interesojnë më” deklaratat e Stoltenbergut.

Presidenti rus, Vladimir Putin kërkon garanci se Ukraina nuk do t’i bashkohet NATO-s, sepse e sheh si kërcënim zgjerimin e aleancës.

NATO-ja e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.

Më herët gjatë javës, Putin ka thënë se Rusia nuk dëshiron luftë, mirëpo ka kërkuar që çështja e anëtarësimit në NATO të adresohet tani, ndonëse Ukraina është larg nisjes së aplikimit për t’iu bashkuar aleancës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG