Ndërlidhjet

Kushtetuesja nuk e shkarkon presidentin Meta


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur kundër shkarkimit të presidentit të vendit Ilir Meta, duke shfuqizuar votimin e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.

Gjykata tha se nuk ka shkelje të rëndë të Kushtetutës nga ana e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së presidentit për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Si nisi iniciativa e shkarkimit?

Deputetët e Partisë Socialiste të kryeministrit, Edi Rama, kishin themeluar një komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021.

Deputetët, pas gjetjeve të komisionit, më 9 qershor të vitit 2021, votuan në favor të shkarkimit të presidentit me 104 vota, duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”.

Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të Kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti Meta kishte deklaruar se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi shkarkimi i tij u votua në një kohë kur opozita e Shqipërisë kishte djegur mandatet e veta në Kuvend.

Meta është zgjedhur president më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta.

Mandati i presidentit është pesëvjeçar dhe roli i tij është kryesisht protokollar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG