Ndërlidhjet

Asetet e rikthyera në AKP, në pritje të Fondit Sovran


Agjencia Kosovare e Privatizimit - Fotografi ilustruese.
Agjencia Kosovare e Privatizimit - Fotografi ilustruese.

“Kapitalin tim askush nuk mund ta tjetërsojë, sepse kam investuar rreth 30 milionë euro”, thotë për Radion Evropa e Lirë Haziz Tafaj, ish-pronar i kompanisë “Agrokosova Holding”, e cila pas 15 vjetësh është rikthyer në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“Agrokosova Holding” apo ish-ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka” ndodhet në qytetin e Suharekës, në pjesën jugore të Kosovës.

Ajo merret me prodhimin e verërave, ndërsa është privatizuar me metodën spin-off special, në vitin 2007.

Kjo metodë nënkupton që blerësi nuk ka të drejtë ta ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjes. Blerësi, po ashtu, duhet të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.

Por, Agjencia Kosovare e Privatizimit, më 3 shkurt, ka marrë vendim për tërheqjen e aksioneve të blerësit të ish-kompanisë "NBI Suhareka" dhe vendosjen e saj nën administrimin e drejtpërdrejtë të AKP-së.

“Unë nuk mendoj që një kompani, me gjithë këto investime, rreth 30 milionë euro, ose pas 15 vjetësh punë dhe aktivitetesh profesionale... [mund t'i rikthehet AKP-së]”, thotë Tafaj.

Sipas tij, marrja e aksioneve nga AKP-ja është bërë në mënyrë joligjore.

Sipas AKP-së, në procesin e privatizimit, bazuar në Marrëveshjen e Zotimeve, blerësi - apo "Agrokosova Holding" - është zotuar se gjatë një periudhe dyvjeçare do të investojë 8.6 milionë euro, porse vetëm mbi 85 për qind e zotimeve janë përmbushur. Po ashtu thuhet se blerësi është zotuar se do të punësojë 3,075 punëtorë, ndërsa i ka punësuar 759.

Në këtë mënyrë, sipas AKP-së, blerësi i ish-ndërmarrjes “NBI Suhareka” ka bërë shkelje të kontratës.

Tafaj thotë se nuk pajtohet me arsyetimet e AKP-së dhe se për këtë do të drejtohet në organet e drejtësisë.

Me metodën e spin off-it special, nga viti 2002, janë privatizuar 26 ndërmarrje në Kosovë, ndërsa pesë prej tyre u janë tërhequr aksionet, për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale, bën të ditur Agjencia Kosovare e Privatizimit për Radion Evropa e Lirë.

Kompanitë që u janë tërhequr aksionet janë: Ndërmarrja e Re “Miniera” dhe Industria e Magnezitit (MIM Golesh) në Lipjan, Ndërmarrja e Re “Miniera e Magnezit” (XIM Strezovc) në Kamenicë, Fabrika “Llamkos” në Vushtrri, “Grand Hotel” në Prishtinë dhe Ndërmarrja e Re “Agrokosova Holding” në Suharekë.

Në bazë të kontratës me spin-off special, pas tërheqjes së aksioneve, kthimi i mjeteve te blerësi nuk parashikohet.

AKP-ja nuk jep ndonjë sqarim se me çfarë metode pritet të privatizohen apo të shiten ndërmarrjet që janë rikthyer në pronësi të agjencisë.

Në deklaratën dhënë REL-it, AKP flet vetëm për rastin e fundit, atë të ndërmarrjes “Agrokosova Holding”, dhe thotë se “në periudhën në vazhdim do të vendoset se si do të trajtohet kjo ndërmarrje”.

AKP-ja nuk jep detaje as për numrin e ndërmarrjeve shoqërore të paprivatizuara.

Por, Qeveria e Kosovës, me një vendim të marrë në mbledhjen e mbajtur më 9 shkurt, ka udhëzuar AKP-në që të mos vendosë në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran.

“Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Në planin qeverisës të ekzekutivit kosovar thuhet se pasuria e Kosovës do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t'i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.

Nuk është ende e qartë se cilat asete do të kalojnë nën Fondin Sovran.

Në planin qeverisës, po ashtu, është paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transferohet në agjenci brenda Qeverisë, si dhe të krijohet një agjenci për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

Ndërmarrjet shoqërore që kanë mbetur të paprivatizuara duhet të trajtohen në forma më të leverdishme, thotë profesori i ekonomisë, Musa Limani. Ai pajtohet se këto ndërmarrje duhet të mbrohen përmes Fondit Sovran.

“Mund të ketë edhe forma tjera. Ndërmarrjet e paprivatizuara mund të dalin në ankand publik, të caktohet çmimi dhe të dalin në ankand. Sido që të jetë, Qeveria duhet të ketë një kontroll për këto ndërmarrje”, thotë Limani.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003, fillimisht nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), kurse nga viti 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3,951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 2,065, ndërsa të paprivatizuara kanë mbetur edhe 1,886. Këto prona, në 116 valë të privatizimit, janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë eurosh.

Gjatë këtij procesi janë shitur ndërmarrje, lokale, toka bujqësore, industriale dhe ndërtimore.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës së quajtur spin-off i rregullt, që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG