Ndërlidhjet

Barna pa fletudhëzim në shqip e serbisht


Fletudhëzim në gjuhën turke i një ilaçi që shitet në Kosovë.
Fletudhëzim në gjuhën turke i një ilaçi që shitet në Kosovë.

Në barnatoret e Kosovës shiten barna që nuk kanë fletudhëzim në gjuhët zyrtare: shqip ose serbisht.

Një prej tyre është medikamenti “Sintredius”, i cili, ndonëse është i pranishëm në treg të Kosovës, fletudhëzimin e ka vetëm në gjuhën italiane.

Fletudhëzimi është ai që e shoqëron produktin medicinal dhe përmban informata për përdoruesin e tij - nga sasia që duhet të merret deri tek efektet anësore që mund t’i shkaktojë.

Një qytetare në Prishtinë, e cila ka dashur të identifikohet vetëm me inicialet Sh.L., thotë për Radion Evropa e Lirë se është përballur drejtpërdrejt me produktin “Sintredius”.

“Këtë bar, mjeku ia ka përshkruar fëmijës tim 1 vjeç e 4 muaj, me bronkit akut. Pasi e kam blerë në barnatore, kam dashur t’i lexoj efektet anësore. Kështu veproj çdoherë, por gjithçka ishte në gjuhën italiane dhe nuk e kuptoja”, rrëfen Sh.L. dhe thotë se zgjidhjen e ka bërë duke kërkuar në internet.

Nga përkthimi që i ka bërë REL fletudhëzimit del se “Sintredius” përdoret, mes tjerash, për trajtimin e llojeve të caktuara të alergjive, gjendjeve inflamatore dhe sëmundjeve autoimune. Aty, po ashtu, ka informacione për mënyrën e përdorimit te të rriturit dhe fëmijët, si dhe për efektet e mundshme anësore.

Fletudhëzimi në gjuhën italiane i një ilaçi që shitet në barnatoret e Kosovës.
Fletudhëzimi në gjuhën italiane i një ilaçi që shitet në barnatoret e Kosovës.

REL ka vizituar disa barnatore në Prishtinë, por përfaqësuesit e tyre nuk kanë pranuar të flasin hapur për shitjen e produkteve medicinale pa fletudhëzim në dy gjuhët zyrtare të Kosovës.

Disa farmacistë, megjithatë, nuk e shohin si problematike këtë çështje.

Duke folur në kushte anonimiteti, ata thonë se për secilin produkt që shitet, blerësi këshillohet se si ta përdorë atë, ndërsa informohet edhe për efektet e mundshme anësore.

“Disa kanë fletudhëzim në shqip e disa nuk kanë”, thotë një farmaciste e një barnatoreje në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Shitja pa fletudhëzim në gjuhë zyrtare, e kundërligjshme

Me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë, shitja e produkteve medicinale pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare është e ndaluar.

Kjo nënkupton që secili produkt medicinal duhet të ketë fletudhëzim në shqip dhe në serbisht.

Përgjegjëse për lëshimin e licencave për veprimtarinë e farmacive në Kosovë dhe të lejeve për import dhe eksport të produkteve dhe pajisjeve medicinale është Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale (APPM).

Ushtruesi i detyrës së shefit të APPM-së, Arian Ahmeti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kompanitë farmaceutike janë të obliguara të plasojnë në treg produkte medicinale me fletudhëzime në gjuhët zyrtare.

Sipas tij, kompania që e prodhon produktin medicinal dhe që e dërgon në tregun e Kosovës, është e obliguar që atë ta shoqërojë me fletudhëzimin në gjuhët zyrtare të vendit ku e eksporton - në këtë rast Kosovës.

Në rastet kur kjo nuk përfillet, duhet të lajmërohet Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë ai.

Inspektorati Farmaceutik thotë se kryen inspektime në baza ditore në pikat doganore, të autorizuara për zhdoganim të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Drejtoresha e këtij inspektorati, Remzije Thaqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2021 janë kryer 694 inspektime dhe se në dhjetë raste janë gjetur produkte medicinale pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare.

“Për të gjitha këto raste janë marrë masa sipas dispozitave ligjore në fuqi, me ç‘rast importuesi është obliguar ta tërheqë produktin pa fletudhëzim [në gjuhë zyrtare] nga tregu dhe të mos e shpërndajë derisa të pajiset me fletudhëzim në gjuhët zyrtare”, thotë Thaqi.

Doganat nuk mbajnë përgjegjësi

I pyetur se si produktet pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare të Kosovës kanë hyrë në tregun e Kosovës, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kjo çështje nuk është obligim ligjor i këtij institucioni.

“Kur vjen një kontingjent me barna... pra, te produktet medicinale janë inspektoratet e veçanta. Gjatë inspektimit të produkteve medicinale është Inspektorati Farmaceutik. Dogana, këto mallra i trajton vetëm në aspektin e sasisë, taksave e të tjera. Çështjet tjera, si p.sh.: a kanë fletudhëzim në gjuhë zyrtare, i trajton Inspektorati Farmaceutik”, thotë Stavileci për Radion Evropa e Lirë.

Inspektorati Farmaceutik nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si kanë hyrë në Kosovë barnat pa fletudhëzim në gjuhën shqipe dhe serbe.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se blerja e një produkti pa fletudhëzim të tillë, shkakton probleme dhe vështirësi për pacientët.

“Pavarësisht sqarimeve që i bën mjeku dhe farmacisti, pacienti shpeshherë ka nevojë të lexojë dhe të mësojë më shumë për atë produkt medicinal”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Jakupi thotë se janë evidentuar raste edhe kur pacienti, në mungesë të informacionit, nuk e ka marrë terapinë në mënyrë të duhur dhe rrjedhimisht, thotë ai, ka dëmtuar shëndetin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG