Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian energjia, siguria, furnizimit dhe tranzicioni drejt energjisë së pastër janë prioritete të përbashkëta.
Tensionet aktuale në raport me Rusinë, rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike dhe derivateve që përdoren për prodhimin e rrymës, kanë ngritur sërish lart në agjendën e përbashkët çështjen e furnizimit me energji jo vetëm të Evropës Perëndimore, por edhe të fqinjësisë evropiane. Kjo çështje është shndërruar në prioritet gjeostrategjik.
Të hënën, më 7 shkurt, në Uashington do të zhvillohet takimi i Këshillit të përbashkët të Energjisë BE-SHBA. Ky këshill do të bëjë bashkë përfaqësuesit e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe asaj të BE-së. Në këtë mbledhje do të marrë pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sekretarja amerikane për Energji, Jennifer Granholm, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, komisionarja evropiane për Energji, Kadri Simson dhe përfaqësues të tjerë amerikanë dhe evropianë.
Para këtij takimi, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një deklarate të përbashkët kanë konfirmuar se po punohet së bashku për të zvogëluar varësinë nga Rusia, për të pasur më shumë burime të furnizimit me energji dhe për të siguruar furnizim me energji për Evropën.
Takimi i Këshillit për Energji BE-SHBA kësaj radhe ka më shumë karakter politik dhe gjeostrategjik sesa më parë dhe në të pritet të konfirmohet qëllimi për të rritur diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Të vetëdijshëm për ndryshimet e shpejta të hapësirës së energjisë dhe rrezikut të vazhdueshëm për sigurinë e energjisë, përfshirë edhe sigurinë kibernetike të sistemit të energjisë, Këshilli i Energjisë BE-SHBA punon për të zgjeruar sigurinë e energjisë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë”, thuhet në draftin e deklaratës së përbashkët që pritet të miratohet në këtë takim.
Në këtë deklaratë në veçanti përmendet nevoja për angazhim të shpejtë për të adresuar problemet e furnizimit me gaz në Evropë dhe në Ukrainë.
Edhe siguria e furnizimit me energji e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi energjetik i rajonit me BE-në do të jenë temë diskutimi në takimin e Këshillit BE-SHBA.
Në draft-deklaratën që pritet të miratohet, një pjesë e zë edhe pjesa për Ballkanin Perëndimor.
“Këshilli përsërit rëndësinë e ndërtimit të një sistemi konkurrues, transparent dhe të integruar energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe tregjet e asociuara, reformat e rregullatorëve në përputhje me politikën e zgjerimit dhe obligimet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”, thuhet në draft-deklaratë.
Këshilli po ashtu mbështet qëllimin e dekarbonizimit të sistemit të energjisë në Ballkanin Perëndimor, që nënkupton largimin gradual nga prodhimi i rrymës përmes qymyrit dhe orientimi drejt prodhimit të energjisë me burime që ndotin më pak mjedisin. Edhe për Ballkanin Perëndimor, SHBA-ja dhe BE-ja duan që të kenë më shumë burime alternative të energjisë, në mënyrë që furnizimi me energji të jetë më i sigurt dhe më pak i varur nga burimet e kufizuara.
Në takimet e ekspertëve amerikanë dhe evropianë është diskutuar edhe për nevojën që të arrihet një zgjidhje edhe për “çështjen e sigurisë në veri të Kosovës”. Edhe në takimin që i kushtohet energjisë, BE-ja dhe SHBA-ja pritet të nënvizojnë rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, në Bruksel pranojnë se mund të ndodhë ndalja apo zvogëlimi i furnizimit me gaz nga Rusia në rast se BE-ja vendos sanksione ndaj Rusisë. Sanksione të tilla janë paralajmëruar në rast se Rusia kryen një agresion të ri ndaj Ukrainës. Kjo do të ishte një goditje e madhe për BE-në, prandaj ditëve të fundit, me angazhimin e përbashkët me SHBA-në po punojnë që të shtojnë furnizimet nga burime të tjera si Katari, Algjeria, Norvegjia dhe Australia, që janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të gazit në botë.
Ndonëse në një afat të shkurtër kohor nga këto burime të reja nuk do të mund të kompensoheshin sasitë e gazit që vijnë nga Rusia, ato mund të ndihmojnë që të zvogëlohet efekti negativ për Evropën. Në tregun e BE-së, 40 për qind e gazit që importohet vjen nga Rusia, gjë që dëshmon sesa Brukseli është i varur nga Moska. Prandaj, vendimi që BE-ja dhe SHBA-ja të punojnë për ta zvogëluar këtë varësi, po vlerësohet si vendim strategjik.
Bashkëpunimi midis SHBA-së dhe BE-së në sektorin e energjisë ka hasur në disa vështirësi gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump i cili ishte tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Blloku evropian e lidhë ngushtë zhvillimin e sektorit të energjisë me ambiciet për të zvogëluar ndotjen e mjedisit dhe tani, me administratën e re amerikane, kanë qëndrim të njëjtë për këtë çështje.