Ndërlidhjet

Moska nuk sheh optimizëm në përgjigjen e SHBA-së  


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë takimit në Gjenevë të Zvicrës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë takimit në Gjenevë të Zvicrës.

Refuzimi i kërkesave kryesore të Rusisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të zgjidhur krizën në Ukrainë, lë pak terren për optimizëm, tha Kremlini të enjten, duke shtuar se dialogu është ende i mundshëm.

Tensionet janë rritur në javët e fundit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO shprehën shqetësimin se grumbullimi prej rreth 100 mijë trupash ruse afër kufirit me Ukrainën, është sinjal se Moska planifikon pushtimin e fqinjit të saj ish-sovjetik.

Rusia mohon të ketë një plan të tillë dhe ka paraqitur një sërë kërkesash që thotë se do të përmirësojnë sigurinë në Evropë.

Por, siç edhe pritej, SHBA-ja dhe aleanca perëndimore të mërkurën hodhën poshtë me vendosmëri pikat kryesore të Moskës, duke refuzuar të ndalojë përgjithmonë Ukrainën të bashkohet me NATO-n.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha të enjten se Kievi është i kënaqur me përgjigjen e SHBA-së ndaj propozimeve të sigurisë së Rusisë për t’u dhënë fund tensioneve mbi Ukrainën.

“Ne kishim parë përgjigjen me shkrim të Shteteve të Bashkuara përpara se t’i dorëzohej Rusisë. Nuk ka asnjë kundërshtim nga pala jonë”, shkroi Kuleba në Twitter.

“Nuk do të ketë asnjë ndryshim”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke përsëritur se çdo ndërhyrje ruse në Ukrainë do të përballej me pasoja të mëdha dhe kosto të rënda ekonomike.

Tash sytë janë te presidenti rus, Vladimir Putin, i cili do të vendosë se si do të përgjigjet Rusia, mes frikës së Evropa mund të zhytet sërish në luftë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se përgjigja nga SHBA-ja dhe NATO, “lë pak terren për optimizëm”.

Ai shtoi se “ka gjithmonë perspektiva për vazhdimin e një dialogu, i cili është në interes të Rusisë dhe amerikanëve”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vuri në dukje se përgjigja e SHBA-së nuk përmban përgjigje pozitive për çështjen kryesore.

Dmitry Peskov shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të vendosin nëse duhet të kenë një tjetër bisedë pas dy telefonatave muajin e kaluar.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, ka thënë inteligjenca perëndimore. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Moska, po ashtu, i mbështetë luftëtarët separatistë që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës. Që prej prillit të vitit 2014, kur shpërtheu konflikti në lindje të Ukrainës, janë vrarë më shumë se 13,200 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG