Ndërlidhjet

Hovenier: Dialogu, rruga më e mirë për të arritur rezultate


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë nga 30 janari deri më 4 shkurt.

Escobar do të vizitojë këto dy shtete së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Përparimi në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian vazhdon të jetë rruga më e mirë për t’u siguruar që liderët e Kosovës mund të japin rezultate për qytetarët dhe që Kosova të njihet dhe të marrë vendin e merituar si lidere botërore”, tha ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Vizita e Escobarit, që mban edhe postin e Zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, pritet të fokusohet në inkurajimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të “zbatojnë reforma në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderët e partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu Lajçak do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do vizitojë pikëtakimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Mutivodë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Por, që prej korrikut të vitit 2021, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq u takuan në Bruksel, nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë.

Më 25 janar, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, fajin për ngecje në dialog e vendosi më shumë te zyrtarët në Prishtinë.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, tha ai.

Ai po ashtu përsëriti thirrjen që të dyja palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG