Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës aktuale, përmes konsultimeve dhe konsensusit të ndërsjellë, tha kryetarja e delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina Popa.
“Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore dhe jo në rrugë”, tha Popa.
Thirrja nga BE-ja vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, si dhe nga propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që Kuvendit t’i shkurtohet mandati.
Thirrjes së BE-ja iu bashkua edhe Ambasada gjermane në Podgoricë, e cila me rastin e krizës aktuale politike theksoi se Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve dhe jo në rrugë.
“Ambasadori Robert Weber pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në Qeverinë malazeze, porse shteti duhet të udhëheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, jo në rrugë”, ka thënë të premten, më 21 janar, Ambasada e Gjermanisë në Mal të Zi, përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, për 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e më pas për nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të Kuvendit ose për rrëzimin e Qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Tensione politike përballë votimit
Debati në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, mes deputetëve të dy partive në pushtet, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA, tregon se tensionet politike në Mal të Zi janë intensifikuar.
Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Vladimir Martinoviq akuzoi drejtuesin e URA-s, Dritan Abazoviq për tradhti ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve dhe për bashkëpunim me opozitën.
“T’ia marrësh popullit vullnetin elektoral është tradhtia më e madhe në historinë e Malit të Zi. Më herët u kam bërë thirrje që të mos e bëjnë këtë dhe të mos i detyrojnë qytetarët të dalin në rrugë për të mbrojtur vullnetin zgjedhor”, ka thënë Martinoviq, i cili ka theksuar se është për zgjedhje të parakohshme.
Deputeti i URA-s, Millosh Konatar ka hedhur poshtë vlerësimin se bëhet fjalë për tradhti ndaj vullnetit elektoral dhe u përgjigj duke akuzuar se një pjesë e shumicës parlamentare i trembet humbjes së mandateve.
“I njëjti rrëfim ishte edhe më parë, se është tradhtar ai që është kundërshtar i pozitave dhe i kolltukëve. Tani sërish po rrezikohen kolltukët dhe tani përmendet sërish tradhtia”, tha Konatar.
Ndërkohë, Demokratët kanë mbështetur qytetarët që janë mbledhur për të protestuar kundër, siç është paralajmëruar, ndryshimit të vullnetit elektoral të qytetarëve. Që prej dorëzimit të nismës së mosbesimit ndaj Qeverisë, në disa qytete janë regjistruar protesta njëorëshe, ku janë mbledhur disa qindra qytetarë.
Kryeministri kërkon zgjedhje të parakohshme
Më 20 janar, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i dorëzoi Kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, duke shpjeguar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme demokratike për tejkalimin e krizës ekzistuese politike.
Krivokapiq më pas vlerësoi se Qeveria dhe përbërja aktuale e Kuvendit nuk mund t’i ushtrojnë kompetencat e marra me Kushtetutë, për shkak të inicimit të procedurës për rrëzimin e Qeverisë.
Më herët (19 janar), deputetët e Qeverisë së deritashme nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq, me mbështetjen e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, paraqitën një nismë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Krivokapiqit. Propozimi u mbështet nga partitë parlamentare, të cilat kanë 44 deputetë nga gjithsej 81 në Kuvendin e Malit të Zi.
Porosia ishte që nëse konstatohet se Qeveria nuk ka mbështetje, URA e Abazoviqit t’u ofrojë të gjithë deputetëve një “qeveri të pakicës, pa pjesëmarrjen e DPS-së dhe Frontit Demokratik”.
Megjithëse në qeverinë e pakicës nuk do të kishte vend për subjektin më të fortë opozitar, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq dhe për partinë që e përbën pjesën më të madhe të shumicës në pushtet, Frontin Demokratik pro-serb (DF), URA kërkoi mbështetjen e tyre në Kuvend për modelin e ofruar nga ajo.
Zëvendëskryeministri dhe kreu i URA-s, Dritan Abazoviq, më pas deklaroi se qeveria e pakicës është “një përgjigje ndaj krizës disamujore dhe faktit që Qeveria aktuale e Krivokapiqit nuk e ka mbështetjen e shumicës parlamentare”.
Lëvizja Qytetare URA me Lidhja e Qytetarëve CIVIS, deri më tash ka qenë pjesë e shumicës aktuale parlamentare, e cila fitoi 41 nga 81 mandate në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, bashkë me DF-në dhe Demokratët.
Përgjigja e Krivokapiqit pasoi në formën e propozimit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Kush do të votojë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit?
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar shërbimit për informim të Qeverisë së Malit të Zi, me pyetjen se për cilat vota në Kuvend është duke llogaritur kryeministri Krivokapiq për propozimin e tij për shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Por, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Analisti politik Dragisha Janjusheviq nga Qendra për Edukim Politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se Krivokapiq po përpiqet të gjejë një zgjidhje dhe të shkurtojë mandatin e Kuvendit, në mënyrë që të parandalojë synimin e Abazoviqit për mocionin e mosbesimin ndaj Qeverisë. Janjusheviq konsideron se kryeministri po llogaritë në mbështetjen e mundshme nga disa anëtarë të DPS-së, partia më e fuqishme opozitare.
“Me siguri që Krivokapiq po mendon se jo të gjithë në DPS janë shumë të kënaqur me propozimin e Abazoviqit për të mbështetur një qeveri të pakicës, në të cilën ai nuk do të marrë pjesë. Kryeministri mbase mendon që një pjesë e DPS-së më përpara do të votonte për shkurtimin e mandatit të Kuvendit sesa një projekt të qeverisë së pakicës. Sidomos për shkak të njoftimit se qeveria e pakicës do të merret me Ligjin për origjinën e pronës, duke zhbllokuar prokurorinë dhe organet e drejtësisë”, tha Janjusheviq.
Reagimet ndaj propozimit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit
Në reagimin e parë ndaj propozimit të Krivokapiqit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, DPS-ja opozitare e Gjukanoviqit tha se kryeministri nuk e ka mbështetjen e deputetëve për propozimin e tij.
Kështu ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter nënkryetari i DPS-së dhe kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviq.
Nga DPS-ja, si dhe nga Socialdemokratët e opozitës, më herët kanë thënë se do të mbështesin çdo nismë që rrëzon Qeverinë e Krivokapiqit.
Ndërkaq, URA, si iniciuese e mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë, mendon se propozimi i kryeministrit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit është një “lëvizje e të dëshpëruarit”.
Për aleancën më të fortë të shumicës në pushtet, Frontin Demokratik, zgjidhja më e pranueshme për tejkalimin e krizës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka bërë të ditur Sllaven Radunoviq në profilin e partisë në Facebook.
Në të njëjtën kohë, Fronti Demokratik nuk ka dashur të komentojë propozimin e kryeministrit Krivokapiq për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, por ka paralajmëruar se do të shqyrtojë bazën ligjore.
Duke theksuar se është e vështirë të vlerësohet nëse kryeministri Krivokapiq do të ketë sukses në synimin e tij për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, analisti politik Dragisha Janjusheviq konsideron se autoriteti i kryeministrit Krivokapiq është cenuar.
“Autoriteti i Krivokapiqit u cenua edhe më shumë nga fakti se ai kishte gjithnjë e më pak mbështetje në Kuvend dhe se kishte një ndarje mes ministrave në Qeveri. Ai nuk ka parti politike, që është një rrethanë specifike dhe nuk e di se si mund të ushtrojë edhe më shumë ndikim dhe të bëjë projeksione politike, ndërkohë që gjendet në një fushë politike serioze dhe komplekse”, tha Janjusheviq.
Në zgjedhjet e gushtit 2020, Zdravko Krivokapiq, si person jopartiak, ishte në krye të listës zgjedhore të udhëhequr nga Fronti Demokratik.
Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve, Krivokapiq u zgjodh kryeministër më 4 dhjetor 2020, me votat e deputetëve të tre koalicioneve fituese, të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.
Që nga fillimi i punës së Qeverisë, deputetët e shumicës parlamentare ishin kryesisht të pakënaqur me punën e saj, e cila nuk kishte ministra nga këto parti politike. Partitë e shumicës parlamentare kanë tentuar dy herë rikonstruktimin e Qeverisë, por për shkak të konflikteve të ndërsjella, asnjë nga propozimet nuk është pranuar.