Ndërlidhjet

Presioni transatlantik mbi Qeverinë e Kosovës


Krerët e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me zyrtarë të Quint-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Krerët e institucioneve të Kosovës gjatë takimit me zyrtarë të Quint-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për mbajtjen e referendumit të Serbisë është shenjë e tendosjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, vlerëson analisti politik, Agon Maliqi.

“Parimisht, unë mendoj që Kosova ka të drejtë që të mos lejojë mbajtjen e referendumit, nuk ka bazë ligjore që ky referendum të mbahet në Kosovë”, thotë Maliqi.

Në Serbi të dielën, më 16 janar, mbahet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës.

Të premten, më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Megjithatë, institucionet e Kosovës kanë thënë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ata thanë se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës u kanë bërë thirrje vendeve të Quint-it që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe i ka dërguar kërkesë për mbajtjen e referendumit edhe misionit të OSBE-së në Kosovë. Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Sipas analistit Maliqi, problematika të njëjta si kjo, Kosovës do t’i shfaqen edhe në vazhdim.

“Ato lloj kompromisesh me OSBE-në kishin kuptim në një kontekst kur kishte proces dialogu dhe procesi po shkonte drejt zgjidhjes, mirëpo jo tash në këtë kohë dhe në këtë kontekst të bllokimit total që është tani, ku as Kosova dhe Serbia nuk kanë synim të arrijnë marrëveshje”, thotë Maliqi.

Sipas tij, qëndrimet aktuale të Kosovës dhe Serbisë, mund të çojnë drejt shpartallimit të të gjitha marrëveshjeve të deritashme dhe të eskalimit të situatës së sigurisë.

Presioni amerikan

Ndërkohë, të enjten më 13 janar, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në letrën dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që Kosova të mbështesë zotimet paraprake.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka thënë ai përmes letrës.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu, njëherësh analist politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se letra e Blinkenit është një thirrje për Qeverinë e Kosovës që të angazhohet seriozisht në dialog me Serbinë.

“Është edhe një sinjal tjetër nga një seri sinjalesh kohëve të fundit se SHBA-ja është e vendosur që të jetë më e angazhuar në rajon dhe sidomos në Kosovë dhe lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është diçka premtuese dhe mjaft inkurajuese kur rajonit i duhet prania amerikane”, thotë Spahiu.

Në letrën dërguar Kurtit, Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.

Po ashtu, aty kërkohet edhe zbatimi i zotimeve apo marrëveshjeve paraprake, duke përfshirë këtu krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tokën rreth Manastirit të Deçanit.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se këto dy çështje janë diskutuar edhe më herët.

“Çështja e Asociacionit mendoj që do të duhet adresuar, por të adresohet në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare që do të parashihte edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër, i bëhet presion vetëm palës kosovare, ndërkohë që Serbia nuk ka zbatuar asnjë pikë të marrëveshjeve të mëparshme siç e dimë”, thotë Spahiu.

Përveç dialogut, Blinken ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në arritjen e marrëveshjes për energji në veri të Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur.

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, e ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Nga dhjetori i vitit 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë së tërhequr nga sistemi inter-konektiv për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës, është thënë në një përgjigje nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhënë në muajin prill për Radion Evropa e Lirë. Kjo kompani është publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Më 2021, në kuadër të dialogut janë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG