Ndërlidhjet

Presidenti kazak paralajmëron tërheqjen e trupave të huaja


Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka njoftuar se trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) do të nisin të largohen nga ky shtet brenda dy ditësh.

Kjo Organizatë drejtohet nga Rusia dhe përbëhet nga disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Në një adresim televiziv para Parlamentit, më 11 janar, Toqaev ka thënë se trupat e Organizatës do të përfundojnë misionin për 10 ditë.

Toqaev ka thënë për herë të parë se “gjatë udhëheqësisë së presidentit të parë, janë shfaqur kompani shumë luksoze dhe njerëz të pasur, të cilët njihen ndërkombëtarisht”.

“Ka ardhur koha që njerëzit të marrin atë që u takon, që të ofrojmë ndihmë sistematike. Qeveria duhet të analizojë këto kompani për të përcaktuar se si do të kontribuojnë në Fondin për Popullin e Kazakistanit”, ka thënë ai, duke kritikuar oligarkët e shtetit, të cilët, sipas tij, kanë shkatërruar konkurrencën në këtë shtet.

Trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), kanë arritur në Kazakistan javën e kaluar, pas kërkesës së udhëheqësisë kazake për ndihmë, meqë Kazakistani përballej me trazira të dhunshme.

“Ngjethëse” dhe “e frikshme”: Qytetarët përshkruajnë gjendjen në Kazakistan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Toqaev po ashtu u ka thënë ligjvënësve se ka nominuar kryeministrin e ri, Alikhan Smailov.

Smailov, 49-vjeçar, ka shërbyer fillimisht si zëvendëskryeministër në kabinetin e kaluar, të cilin e ka shkarkuar Toqaev, ndërkohë që autoritetet kazake ishin duke u përballur me protesta të papara më herët.

Si pasojë e trazirave kanë vdekur të paktën 163 persona.

Pse kanë nisur protestat?

Toqaev, i cili ka fajësuar “agresionin terrorist” për trazira dhe ka thënë se protestat kanë qenë edhe tentime për puç, ka arritur të shfrytëzojë situatën për të konsoliduar pushtetin në këtë shtet të Azisë Qendrore, të pasur me naftë dhe gaz.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit ka thënë më 11 janar, se forcat e sigurisë kanë ndalur 9,900 persona, në lidhje me trazirat vdekjeprurëse.

Kazakistani është zhytur në krizë javën e kaluar, pasi protestat e nisura në rajonin Mangjstau, rreth rritjes së shpejtë të çmimit të gazit të lëngshëm, janë përhapur deri në Almati.

Ndonëse protestat kanë nisur si paqësore dhe janë zgjeruar nga pakënaqësitë tjera, ato shpejt janë shndërruar në dhunë, pasi turmat janë parë duke djegur ndërtesa publike dhe dyqane në Almati, kryeqytet komercial me 1.8 milion banorë, por edhe në vende tjera.

Shefi për Shëndetësi në qytetin e Almatit, Nariman Tabynbaev, u ka thënë gazetarëve se gjatë periudhës së trazirave, më shumë se 1,200 persona kanë vizituar qendrat mjekësore për ndihmë, si pasojë e plagëve.

“Rreth 176 individë janë aktualisht në spitalin e Almatit. Prej tyre 18 janë në kujdes intensiv, duke përfshirë tre fëmijë”, ka thënë Tabynbaev, duke shtuar se shumica e pacientëve vuajnë nga plagë të shkaktuara nga të shtënat me armë zjarri.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë ofruar të dhëna që mbështesin pretendimet se terroristët, duke përfshirë “luftëtarë të huaj”, kanë qenë mbrapa protestave në këtë shtet autoritar.

As Qeveria nuk ka dhënë hollësi për natyrën e saktë të tentimeve për puç.

Toqaev: Po punojmë për stabilitet ekonomik

Disa dëshmitarë kanë thënë se marshet paqësore janë shfrytëzuar nga disa grupe të organizuara që kanë shkaktuar dhunë, derisa të tjerë kanë fajësuar forcat qeveritare për nxitje të dhunës.

Në rritje e sipër të krizës, Toqaev ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 5 janar dhe ka bërë thirrje që trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive të angazhonin trupa për të garantuar sigurinë.

Në të njëjtën kohë, ai ka shkarkuar kabinetin dhe ka larguar ish-presidentin, Nursultan Nazarbaev nga pozita e udhëheqësit të Këshillit për Siguri Kombëtare, një pozita e fuqishme, prej së cilës ai ka vazhduar të kenë ndikim të konsiderueshëm.

Toqaev ka shkarkuar edhe zyrtarë tjerë dhe disa janë arrestuar për tradhti.

Gjatë adresimit të tij para Parlamentit, Toqaev ka siguruar qytetarët se ai është duke punuar për stabilitet ekonomik.

Ai ka urdhëruar Bankën Qendrore dhe agjencitë financiare që të garantojnë stabilitetin e tregut sa u përket këmbimeve, në mënyrë që të rritet besimi në monedhën vendase - tenge.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG