Ndërlidhjet

Australia thotë se Gjokoviq nuk po mbahet rob


Tenisti serb, Novak Gjokoviq.
Tenisti serb, Novak Gjokoviq.

Novak Gjokoviq nuk është duke u mbajtur rob në Australi, ka thënë të premten ministrja australiane për Punë të Brendshme, Karen Andrews, teksa ai përballet me dëbim për shkak të rregulloreve për koronavirus.

“Ai është i lirë të largohet kurdo që dëshiron”, ka thënë Andrews.

Tenisti serb vazhdon të jetë në qendrën e ndalimit për migrantë në Melbërn, pasi i është mohuar hyrja të mërkurën në Australi.

Seanca për apelin e tij do të mbahet të hënën, një javë para se të nisë turneu, Australian Open.

Gjokoviq, kampion i 20 titujve Grad Slam, ka fituar në tri edicionet e fundit të Australian Open.

Ndërkohë, Novak Gjokoviq po kalon Krishtlindjen Ortodokse në qendrën e migrimit. Ai përmes Instagramit ka falënderuar “njerëzit në mbarë botën” për “mbështetjen e vazhdueshme”.

Nëna e tenistit, Dijana Gjokoviq tha se ka folur me të birin përmes telefonit.

“Shpresoj që të qëndrojë i fortë, siç po mundohemi edhe ne që t’i japim atij energji që të vazhdojë tutje. Shpresoj se ai do të fitojë.

Novak Gjokoviq ka folur vazhdimisht kundër vaksinimit kundër koronavirusit, mirëpo nuk e ka bërë të ditur kurrë statusin e tij të imunizimit.

Ai ka siguruar një përjashtim mjekësor nga dy panele mjekësore të organizatës që drejton turneun e tenisit dhe shteti i Viktorias.

Njoftimi i Gjokoviqit se ka siguruar një përjashtim dhe se do të niset drejt Melbërnit, është pritur me zemërim nga disa australianë, të cilët kanë qenë shumë të kufizuar prej kur ka shpërthyer pandemia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG