Ndërlidhjet

Rizvanolli: Do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë


Foto ilustruese.
Foto ilustruese.

Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se për shkak të krizës energjetike do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Rizvanolli ka njoftuar se “duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik, i cili u themelua javën e fundit të dhjetorit 2021 për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli.

Për shumë vjet, në Kosovë është raportuar për keqpërdorim të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës për prodhimin e kriptovalutave apo valutave digjitale.

Në katër komunat me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicën Veriore, që nga paslufta nuk paguhet energjia elektrike nga banorët që jetojnë atje.

Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike. Kompjuterët lidhen me energji elektrike dhe të njëjtit shpenzojnë energji elektrike dhe kryejnë procedurën e njohur si “miniera” (mining).

Sipas njohësve të kësaj industrie, një pajisje me pesë kartela grafike shpenzon rreth 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Në tentim për të rregulluar këtë veprimtari, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë filluar procedurat për nxjerrjen e një ligji për kriptovalutat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG