Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ka teste të mjaftueshme, përmes të cilave detektohet varianti Omicron i koronavirusit.
Sipas tij, ekipet shëndetësore po vazhdojnë të bëjnë mbikëqyrjen e këtij varianti.
“Neve na mbetet të vazhdojmë punën në ruajtje të shëndetit”, tha shkurt Ramadani.
Më 26 dhjetor, Kosova ka detektuar nëntë rastet e para me variantin Omicron të koronavirsit.
Testimi ishte kryer me kit-e shtesë që kanë pranuar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë. IKSHPK më 23 dhjetor kishte paralajmëruar se do të pajisej me këto kite, me qëllim që të detektojnë variantin e ri Omicron.
Në Ministrinë e Shëndetësisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se IKSHPK kryen testime për variante të ndryshme të koronavirusit, por edhe është duke u ndihmuar përmes Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) që mostra të caktuara të testohen edhe jashtë vendit në laboratore referente.
Ndërkaq, infektologu Arben Vishaj, në një prononcim për media tha të martën se një prej të infektuarve me Omicron, që kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, kishte kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive, por tani ai është liruar për trajtim në shtëpi.
“Aspektet klinike kanë qenë manifestime të një COVID-i me formë të lehtë klinike. Ky pacient tri ditë më përpara ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara ku edhe punon. Gjendja e tij e përgjithshme ka qenë një simptomatologji e prekjes së rrugëve të frymëmarrjes. Është marrë testi për COVID, që ne e marrim në mënyrë rutinore, pas testimit nga IKSHPK ka rezultuar se është pozitiv për Omicron. Përndryshe, sot kemi komunikuar me pacientin, gjendja e tij është stabile, nuk ka ndonjë përkeqësim”, tha Vishaj.
Situata epidemiologjike në Kosovë është e qetë.
Më 27 dhjetor janë regjistruar katër raste të reja me koronavirus, ndërkaq raste aktive janë 343.
Deri më tani, 780,765 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat.
Ministria e Shëndetësisë, më 27 dhjetor njoftoi se të gjithë qytetarët që kanë marrë dy dozat e vaksinës para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese.
Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike.
Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.
Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.
Ky variant i ri i COVID-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës.
Omicroni besohet se transmetohet më shpejt se variantet paraprake të COVID-19, por shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar nëse ai shkakton sëmundje më të rëndë apo nëse shmang mbrojtjen që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.
Raste me Omicron janë regjistruar edhe në vendet e rajonit: Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.