Një gjykatë e Mbretërisë së Bashkuar të premten (10 dhjetor) ka hapur rrugën që Julian Assange të ekstradohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo u bë duke u shfuqizuar vendimi i një gjykate të një niveli më të ulët që thoshte se shëndeti mental i themeluesit të “WikiLeaks” ishte shumë i ndjeshëm për të përballuar sistemin penal amerikan.
Gjykata e Lartë në Londër vendosi që garancia e SHBA-së ishte e mjaftueshme lidhur me atë se Assange do të trajtohet në mënyrë humane, si dhe urdhëroi gjykatën e nivelit më të ulët që të dërgojë kërkesën për ekstradim te ministri i Punëve të Brendshme për rishikim.
Sekretari i Shtetit, Priti Patel, që mbikëqyrë sundimin e ligjit në Mbretërinë e Bashkuar do të marrë vendimin final nëse Assange do të ekstradohet.
“Nuk ka arsye pse kjo gjykatë nuk duhet të pranojë garancinë. Nuk ka bazë të besohet se SHBA nuk e ka dhënë këtë garancion me besim të plotë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
E fejuara e Assangeit, Stella Moris, e quajti vendimin “një dështim të rëndë të drejtësisë” dhe tha se avokatët e Assangeit do të kërkojnë ta apelojnë këtë vendim te Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne do të luftojmë”, tha Moris jashtë gjykatës ku mbështetësit ishin grumbulluar duke kërkuar lirimin e Assangeit.
“Çdo gjeneratë ka një luftë epike për ta luftuar dhe kjo është e jona sepse Julian përfaqëson fundamentalisht ata çfarë do të thotë të jetosh në një shoqëri të lirë”, tha ajo.
Assange, 50 vjeç, momentalisht po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Londër. Gjykata e Lartë ka vendosur që ai të qëndrojë në mbajtje deri të arrihet vendimi i plotfuqishëm për ekstradim.
Në janar, një gjykatë e nivelit më të ulët refuzoi kërkesën e SHBA-së për ekstradim të Assange për tu përballur me akuzën për spiunazh në lidhje me publikimet e dokumenteve sekrete ushtarake në “WikiLeaks”, një dekadë më parë.
Gjykatësja, Vanessa Baraitser, mohoi ekstradimin për shkaqe shëndetësore, duke thënë se shtetasi australian kishte gjasë ta vriste veten nëse do të mbahej në kushtet e rënda të burgjeve në SHBA.
SHBA-ja e apeloi këtë vendim duke e sfiduar idenë se shëndeti mental i Assange e bënte atë të ndjeshëm për të përballuar sistemin amerikan të drejtësisë.
James Lewis, një avokat për qeverinë e SHBA-së tha se Assange “nuk ka ndonjë histori të sëmundjes mentale serioze dhe të vazhdueshme”, dhe nuk përmbush kriterin e të qenit aq i sëmurë sa nuk mund të rezistojë nga lëndimi i vetvetes.
Autoritetet e SHBA-së u kanë thënë gjyqtarëve britanikë se nëse Assange ekstradohet për t'u ndjekur penalisht, ai do të ketë mundësi të vuajë dënimin me burg që ia shqipton SHBA-ja, në vendin e tij, në Australi.
SHBA-ja e akuzon Julian Assange me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit në lidhje me publikimet e mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake.
Këto akuza arrijnë në maksimum dënimin prej 175 vitesh burgim edhe pse Lewis tha se dënimi më i lartë i shqiptuar deri më të tani për këtë lloj akuze është 63 muaj.
Assange ka qenë në burg që nga arrestimi i tij në prill të vitit 2019 pasi i shkeli rregullat e lirimit me kusht në një betejë tjetër juridike.
Para kësaj, ai i kaloi shtatë vjet i mbyllur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Assange kërkoi mbrojtje nga Ambasada në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin për në Suedi për t’u përballur me akuzat për dhunim dhe sulm seksual.
Suedia i ka ndërprerë hetimet për krime seksuale ndaj tij në vitin 2019 pasi kishte kaluar shumë kohë.