Qeveria e Zelandës së Re tha të enjten se beson se ka arritur të krijojë një plan unik për t’i dhënë fund pirjes së duhanit, duke prezantuar një ndalesë të përjetshme për personat 14 vjeç apo më të rinj.
Sipas ligjit të ri, që u prezantua më 9 dhjetor nga Qeveria e Zelandës së Re, që pritet të miratohet vitin e ardhshëm, mosha minimale e personave që mund të blejnë cigare do të rritej vit pas viti.
Kjo nënkupton, që 65 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit, qytetarët mund të blejnë cigare nëpër dyqane, por duhet të dëshmojnë se janë të paktën 80 vjeç.
Plani i Qeverisë ka vendosur synimin që nën 5 për qind të qytetarëve të jenë konsumues të duhanit deri në vitin 2025.
Po ashtu, pjesë e planit qeveritar është edhe lejimi i shitjes së produkteve të duhanit me nivele të ulëta të nikotinës.
Sipas ligjeve aktuale në fuqi në Zelandën e Re, qytetarët e moshës 18 vjeç e lart lejohen të blejnë duhan.
Sipas të dhënave, numri i personave që janë duhanpirës në Zelandën e Re ka rënë gjatë viteve të fundit dhe rreth 11 për qind e personave të rritur janë duhanpirës, ndërkaq 9 për qind e tyre tymosin duhan çdo ditë. Ndërkaq, te komuniteti indigjen Maori, përqindja e duhapirjes është 22 për qind.